ISIS-i shtrin kudo “tentakulat”

04/04/2015 00:00

Një imam në Mançester ka paralajmëruar se “tentakulat e ISIS-it po përhapen shpejt” në rrethin e bashkësisë myslimane. Gjatë predikimit të tij, imami u bëri thirrje të gjithë atyre që po tundohen nga propaganda e Kalifatit Islamik.

Parashikimi i Irfan Cishti tregon se ISIS-i vërtetë po përhapet shpejt nëpërmjet telefonave dhe internetit, të cilët sipas tij po na bëjnë memecë.

Ende nuk është e qartë përse çdo ditë nga Perëndimi largohen të rinj për t’u bashkuar me ISIS-in, në një total prej 600 britanikësh që kanë përqafuar xhihadin. Vetëm javën e fundit policia turke arrestoi 9 britanikë nga mosha 12 deri në 21 vjeç, me destinacion Sirinë.

Por, teksa paralajmërimet për ISIS-in rriten, një studim i fundit nga Pew Research Center mbi tendencat fetare tregon se Islami do të jetë besimi me rritjen më të shpejtë në botë, i cili do të arrijë afërsisht 2.7 miliardë përkrahës deri në vitin 2050.  

Sipas analistëve, kjo tregon se myslimanët do të vazhdojnë ta ruajnë me fanatizëm besimin e tyre dhe nuk do të lëkunden nga ajo që ISIS-i po mundohet të deformojë Islamin.

Por, të dhënat e një raporti të fundit të OKB-së që monitoron grupet terroriste al-Kaeda dhe ISIS, tregojnë se militantët kanë rekrutuar 20.000 luftëtarë të huaj nga më shumë se 100 vende.  

Edhe pse shumica e forcave të Shtetit Islamik janë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, gjithnjë e më tepër po vërehen të tjerë anëtarë të “radikalizuar” nga vendet perëndimore.

Top Channel