Opozita, protestë kundër Qeverisë më 18 prill

04/04/2015 00:00

Opozita në Kosovë, e bashkuar, do të protestojë kundër Qeverisë me 18
prill. Motoja e kësaj proteste është “Protesto kundër kapjes së
shtetit”.

Organizatorët nga të tri subjektet politike, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA për Kosovën thanë se, qeveria i ka dy rrugë para: vetes, të shkojë në shtëpi ose të ndryshojë kahjen e qeverisjes. Shtyllat kryesore mbi bazën e të cilave do të artikulohen kërkesat e protestës janë: çmimi i lartë i rrymës, kontrolli i pushtetit në transmetuesin publik, uzurpimi i sistemit të drejtësisë dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
 
“Në Kosovë po ndodh kapja e shtetit dhe ne kapjen e shtetit e definojmë si proces të kapjes së shtetit në qarqe klanore; drejtësia në Kosovë është uzurpuar dhe po kontrollohet nga grupet e krimit të organizuar, sot selia kryesore e drejtësisë në Kosovë është pushteti pa drejtësi të pavarur nuk mund ta kemi as Kosovën e pavarur. Protesta është mjeti i vetëm demokratik që mund ta përdorim të gjithë se bashku për të ndalur një shtet të kapur dhe një qeveri të kapur”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosje.

Raporti i Kosovës me Serbinë është një tjetër shqetësim për opozitën. Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kada Bujupi, konstatoi se në Qeverinë “Mustafa” ndikimi i Serbisë në Kosovë është më i madh se në kohën e misionit të Kombeve të Bashkuara UNMIK.
 
Me politikat e veta, korrupsionin, krimin dhe pasurimin e vetes, Qeveria ka cenuar ekonominë dhe mirëqenien, me lëshimin pe para Serbisë ka cenuar sovranitetin dhe integritetin e vendit tonë dhe, e katërta, me veprimet e veta në raport me RTK-në ka cenuar lirinë e fjalës. Dhe një qeveri, e cila cenon katër segmente kyçe për jetën e qytetarët ose duhet të ndryshojë kahje, ose duhet të shkojë në shtëpi, nuk ka rrugë të tretë, dhe ky është qëllimi”, thotë Donika Kada Bujupi.

Detaje të tjera rreth protestës do të shpalosen ditëve në vijim. Ajo që dihet është data dhe se do të fillojë në orën 14:00. Opozita ftoi qytetarët, por edhe organizatat e shoqërisë civile, që të bashkohen, ndërsa bëri të ditur se ftesa është për një protestë paqësore, por duke i bërë thirrje policisë që të mos ketë qasje të dhunshme ndaj protestuesve.

Top Channel