ISIS vazhdon çmendurinë, sërish shkatërrime në zonat antike

04/04/2015 00:00

Videoja e fundit e Shtetit Islamik tregon shkatërrimin e statujave me vlerë të paçmuar në qytetin antik të Hatrës, një zonë e Irakut që është pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.

Me çekiçë të rëndë dhe breshëri kallashnikovi, militantët kanë shkatërruar statujat dhe vepra e gdhëndura në muret e qytetit.

Në videon që është shpërndarë në orët e natës, një anëtar i grupit shfaqet duke goditur vazhdimisht me një çekiç të madh një statujë, derisa vepra bie në tokë dhe bëhet copë copë.

Videoja, e postuar në një faqe interneti të përdorur shpesh herë nga grupi, tregon një ekstremist tjetër teksa qëllon me kallashnikov një tjetër statujë.

Militantët morën nën kontroll qytetin e Hatrës muajin e kaluar dhe që atëherë qarkulluan zëra për shkatërrimin e monumenteve të kulturës, por verifikimi ishte i pamundur për shkak të kontrollit të territorit nga Shteti Islamik.

ISIS ka shkatërruar edhe kompleksin e Nirmudit, atë të Tal Afarit, ndërkohë që statujat e shkatërruara në muzeun Ninive të Mosulit rezultuan se ishin kopje e origjinaleve.

Top Channel