Al Kaeda bën ligj në Jemen, militantët zaptojnë pallatin qeveritar

04/04/2015 00:00

Eksponenti i lartë i Al Kaedës që u arratis pak ditë më parë nga një burg i Jemenit, Khaled Batarfi, i ka shpallur sfidën e tij qeverisë së këtij shteti duke u fotografuar brenda pallatit të guvernatorit të Mikallasë.

Qyteti në fjalë është tashmë nën kontrollin e plotë të xhihadistëve, pas pushtimit edhe të dy bazave ushtarake, në të cilat ata u furnizuan me armë, autoblinda dhe municione.

Batarfi po gëzon lirinë pasi shokët e tij sulmuan burgun ku mbahej i mbyllur, prej nga u arratisën edhe mbi 200 të burgosur.

Një sinjal ky i mëtejshëm sesi Jemeni po gërryhet nga milicitë e ndryshme, por edhe nga prova e forcës së Al Kaedës, prej kohësh aktive në pjesën jugore të vendit.

Bëhet fjalë për një nga fraksionet që i ka mbetur besnike linjës tradicionale të Ayman al Zawahiri, krahu i djathtë i sheikut të vrarë Osama bin Laden.

Ndërkohë, në zonat e tjera të Jemenit luftimet e ashpra vazhdojnë. Koalicioini i udhëhequr nga Arabia Saudite vijon sulmet ajrore duke sjellë shkatërrime të mëdha në një vend ku varfëria mbizotëron prej vitesh.

Lëvizja shiite Houthi, pavarësisht sulmeve të armikut, vazhdon të luftojë duke treguar guxim dhe shpirt të fortë luftarak. Kjo shpjegon edhe kujdesin e sauditëve në ndërmarrjen e një operacioni tokësor.

Riadi zyrtar ka angazhuar shumë reparte në kufi, por për momentin preferon t’i qëndrojë besnik opsionit ajror. Për shumë ekspertë, një ndërhyrje tokësore saudite mund të kthehet në një kurth.

Top Channel