Tiranë, vazhdon odisea e banesave sociale; ndarja me bashkinë e re

04/04/2015 00:00

Ndonëse banesat sociale kanë përfunduar dhe janë marrë në dorëzim nga Bashkia e Tiranës, pothuajse prej një viti ende nuk janë miratuar emrat e familjeve që do t’i përfitojnë.

Dhe mesa duket, banesat sociale do të shpërndahen vetëm pas zgjdhjeve të 21 qershorit nga administrata e mandatit të ardhshëm.

Sipas bashkisë, nga 500 emra që kanë aplikuar për banesat me qera të butë deri më tani vetëm 210 prej tyre plotësojnë kriteret e kërkuara, ndërkohë që janë në pritje të një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak.

“Ka një listë shtesë me rreth 30 aplikantë të tjerë që kanë plotësuar dokumentacionin dhe janë konform manualit përkatës, por nuk ka ende një mbledhje të radhës të Këshillit Bashkiak. Shpresoj që kjo të mos ngelet peng e politikës konfliktuale, sikurse kanë mbetur peng shumica tërësore e gjithë projekteve të rëndësishme. Sa më shumë i afrohemi fushatës, aq më e vështirë bëhet mbledhja sepse ka kufizime nga Kodi Zgjedhor”, deklaron nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

Nëse mbledhja e Këshillit Bashkiak nuk zhvillohet para zgjdhjeve të radhës, atëherë mund të jetë diku nga shtatori apo tetori deri kur të bëhet konstituimi i bashkisë së re dhe këshillit të saj.

Sipas nënkryetarit Bozdo, lista e parë me 180 emra duhej të ishte miratuar që në mbledhjen e kaluar të këshillit, por sipas tij ajo u bllokua qëllimisht.

“Bashkia e ka plotësuar detyrimin e saj me dërgimin para një muaji të një liste me 180 familjet e para, që plotësonin kriteret për të përfituar. Por, ashtu sikurse shumë projekte të tjera të bashkisë, këshilli vendosi të mos e pranonte në mbledhjen përkatëse me arsyetimin absurd se ka aplikime të tjera që duheshin marrë në konsideratë. Fatkeqësisht po luhet politikisht me shtresën më të varfër dhe më në nevojë të Tiranës”, nënvizon Bozdo.

Janë gati 384 apartamente që qëndrojnë bosh dhe të mbyllura në Shkozë, pranë ish-uzinës së autotraktorëve, ndërkohë që lista e të pastrehëve në Tiranë është shumë e gjatë.

Këto banesa nisën të ndertohen që në kohën kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Edi Rama, por Bozdo tha se u morën në dorëzim vetëm para një viti për shkak se kompania që i ndërtoi nuk i kishte përfunduar dhe kishte probleme me energjinë dhe ujin e pijshëm.

E ndërsa blloku i pallateve është në pritje të banorëve, zona pranë tyre është shndërruar në vendgrumbullim të mbeturinave.

Top Channel