Hila: Shqiptarëve të Maqedonisë u duhen elita të reja politike

04/04/2015 00:00

Shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për elita të reja politike. Kështu u shpreh para studentëve në Shkup, publicisti i njohur nga Tirana Dritan Hila.

Shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për elita të reja politike. Kështu u shpreh para studentëve në Shkup, publicisti i njohur nga Tirana Dritan Hila.

Ai tha se, pas publikimit të aferës së përgjimeve në Maqedoni, shqiptarëve në këtë vend u nevojiten udhëheqës të rinj që nuk do ta sakrifikojnë kauzën kombëtare për interesa personale.

“Përgjimet po nxjerrin se politikanët shqiptarë këtu bashkëpunojnë me maqedonasit. Elitat shqiptare tek ne në Shqipëri janë skllavëruar. Sali Berishës i ka humbur shtylla kurrizore, nuk di me kë të bashkëpunojë përpara që të vijë në pushtet”, deklaroi Hila.

Publicisti i njohur tha se për liderët e rinj shqiptarë nga Maqedonia nuk duhet të shërbejnë si model politikanët e Tiranës, që nuk u ngjajnë aspak politikanëve perëndimorë. Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për liderë që të ndërtojnë një profil tjetër udhëheqësish.

“Udhëheqësit shqiptarë nuk pranojnë të zbatojnë ciklin demokratik. Asnjëri prej tyre nuk pranon të ikë nga karrikja e partisë, por e mbajnë me dhëmbë me shpresën se do të kthehen sërish”, tha Hila.

Gjatë ligjëratës së tij në kuadër të “Shkollës për Lidership”, Hila para të rinjve shqiptarë në Shkup tha se për udhëheqësit e ardhshëm është e rëndësishme që të mos ndikohen nga besimi fetare dhe t’i përmbahen parimit të ndarjes së fesë nga politika.

Top Channel