Bruksel, dita shqiptare në Eurocontrol

04/04/2015 00:00

Për herë të parë, 13 vjet pas anëtarësimit të saj, në selinë e Eurocontrol u organizua dita e Shqipërisë. Në plot 4 orë festë u shpalosën bukuritë natyrore të vendit përmes fotografive të Alket Islamit, një dokumentari të përgatitur enkas nga autoritetet shqiptare të Albcontrol, kostumet tradicionale, këngët e vallet, por dhe gatime karakteristike.

Një praktikë e tillë u inciua me 41 vendet pjesëmarrëse të organizatës vetëm pas zgjedhjes së drejtorit të ri gjerman, siç rrëfeu drejtuesja e Albcontrol, Belinda Balluku.

“Kjo është një kërkesë e drejtorit të Eurocontrol, i cili, me nënshtetësi gjermane, në festën që zhvilloi Gjermania veshi kostumin tradicional, kështu që të gjithë drejtorët e vendeve të tjera janë të detyruar të veshin kostum popullor. Besoj se kostumi i Dardhës nuk konkurrohet nga drejtorët e tjerë, ndërkohë që qeleshet janë për t’i dhuruar diçka femrave dhe meshkujve të pranishëm. Femrave u dhuruam shaminë, me të cilën shqiptarët vallëzojnë nga veriu në jug dhe meshkujve qeleshe të ndryshme, duke u shpjeguar se cilës krahinë u përkasin dhe çfarë tregon maja e qeleshes: malet, fushat e detin”, tregoi Balluku.

“Ju më patë gjatë fjalimit me qeleshe të Tiranës, ende nuk e kam provuar ushqimin, por kjo vjen tani në radhë. Na mori gati 6 muaj për ta organizuar dhe mendoj se është një ceremoni e sukseshme dhe një festë mjaft e bukur për këtë ngjarje. Shqipëria është një prej 41 vendeve anëtare të Eurocontrol, por ende jo një vend anëtar i BE-së dhe kjo ka të bëjë me zbatimin e rregullave të përbashkëta të menaxhimit të trafikut ajror. Siç e përmenda në fjalën time, këto norma nuk janë të lehta për t’u zbatuar, por ato mund të arrihen me ndihmën e stafit të Eurocontrol dhe përfshirjen e shtetasve shqiptarë që punojnë aty, drejtorë të kontraktuar, siç është dëshmuar dhe në raste të tjera. Ne jemi shumë mbështetës dhe optimistë në përmbushjen e këtyre hapave nga Shqipëria dhe po punojmë mbi një program konkret për zbatimin e tyre në Shqipëri”, deklaroi Frank Brenner, drejtor i përgjithshëm i Eurocontrol.

Komisioni Europian i delegon kompetenca kësaj organizate ndërqeveritare për një pjesë të normave të Hapësirës së Vetme Europiane. Në bashkëpunim me autoritetet kombëtare, Eurocontrol siguron koordinimin e kontrollit të trafikut ajror në gjithë Europën, për përdorues civilë, ushtarakë e të organizatave të ndryshme.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel