Greqisë i skadon afati i borxheve, Vroufakis udhëton për tek Lagarde

04/04/2015 00:00

Vetëm pak ditë, përfshirë ato të festave, ndajnë Athinën nga shkurtimi i likuiditetit si pasojë e rimbursimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar të borxhit prej 450 milionë eurosh, që skadon më 9 prill.

Kryeministri Aleksis Tsipras ka zgjedhur heshtjen pasi, sipas burimeve të qeverisë, ka dhënë garancinë e tij për respektimin e zotimeve.

Por në veprim është vënë ministri i tij i Financave, Yanis Varoufakis, i cili të dielën do të jetë në Uashington për t’u takuar me numrin një të FMN-së, Christine Lagarde.

Në takimin e fundit mes tyre, më 11 prill, Lagarde dhe Varoufakis ishin ndarë duke shtrënguar duart dhe duke buzëqeshur përpara fotografëve.

Ndërsa takimi i së dielës, që bie ditën e Pashkës, cilësohet nga Athina si një takim jozyrtar për të analizuar planin grek të reformave.

Qeveria helene shprehet optimiste se do t’u bëjë ballë të gjitha detyrimeve të saj financiare brenda së enjtes së ardhshme, duke filluar me pensionet dhe rrogat e funksionarëve publikë.

“Gjithçka që duhet paguar javën e ardhshme do të paguhet”, ka thënë për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve një burim nga ekzekutivi. Një deklaratë kjo e konfirmuar edhe nga zëvendësi i Varoufakis, Dimitris Mardas, në një intervistë për televizionin lokal “Mega TV”.

Por, përveç borxhit ndaj FMN-së dhe rrogave e pensioneve të punonjësve të sektorit publik, për t’u paguar është edhe një këst prej 250 milionë eurosh në interesa, të cilat duhet të shlyhen në fund të muajit, për të mos harruar pastaj rifinancimin e titujve financiarë brenda datave 13 dhe 17 prill, për një total prej 2.4 miliardë eurosh.

Top Channel