Bërthamoret, gëzimet dhe zhgënjimet nga pakti SHBA-Iran

04/04/2015 00:00

Me festime në rrugët e Teheranit iranianët përshëndetën arritjen e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara, që parashikon lehtësimin e sanksioneve financiare në këmbim të frenimit të aktivitetit të pasurimit të uraniumit.

Natën e marrëveshjes ata festuan me flamuj në duar, me shpresën se monedha vendase do të rikthehet tek forca e dikurshme dhe se mbase do të mund të pasurohen.

Por pakti i uraniumit nuk u mirëprit nga republikanët në Kongresin amerikan. Sipas tyre, do të ishte naive nëse të mendohet se Teherani nuk do të vazhdojë aktivitetin e tij të uraniumit.

Guvernatori Scot Walker shkroi në Twitter: “Marrëveshja e rrezikshme e Obamës me Iranin shpërblen armikun, minon bashkëpunimin me aleatët dhe kërcënon sigurinë tonë”.

Në të njëjtën linjë doli edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, që tha se, bashkë me kabinetin e tij ka qenë gjithmonë kundër një marrëveshjeje të tillë.

“Një marrëveshje e tillë nuk e bllokon rrugën e Iranit që të bëjë bombën bërthamore. Madje, ajo i hap rrugë Iranit për të bombarduar. Në pak vjet marrëveshja heq kufizimet mbi programin bërthamor të Iranit, duke bërë të mundur që ky vend të ketë një kapacitet të madh uraniumi dhe që në pak muaj të ketë armën më të rrezikshme në duar”, tha Netanyahu.

Por marrëveshja u përshëndet nga sekretari i Shtetit, John kerry, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Francois Hollande dhe sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon, që thanë se kurrë më parë nuk kanë qenë më afër ndalimit që Irani të mos ndërtojë një armë që kërcënon sigurinë globale.

Top Channel