Pashkët katolike, urojnë krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e politikës

05/04/2015 00:00

Në urimin e tij drejtuar besimtarëve katolikë për Pashkët, presidenti Bujar Nishani thotë se “është një kënaqësi e veçantë, që në cilësinë e kreut të Shtetit të shpreh urimet më të mira në  këtë festë, e cila bart në vetvete thelbin e kuptimit të besimit të krishterë, si dhe vlerën e vërtetë dhe magjike të ringjalljes”.

Presidenti Nishani thekson se “kjo festë na ringjall jo vetëm besimin te Zoti, por edhe bindjen se vetëm nëpërmjet përjetimit dhe zbatimit të dëlirtë e të vërtetë të vlerave të pastra njerëzore dhe parimeve moralo-etike, shoqëria jonë mund të kapërcejë çdo vështirësi e sfidë, si dhe të ecë përpara drejt begatisë, mes paqes dhe harmonisë mes të gjithëve”.

Në Katedralen katolike në Tiranë uroi edhe kreu i Parlamentit, Ilir Meta.

“Në këtë ditë të shenjtë uroj të gjithë besimtarët katolikë dhe të gjithë shqiptarët. Ky është një moment për të reflektuar, në këtë festë të shenjtë, për t’u ngritur në lartësinë e besimit, të shpresës dhe mirësisë. Pas kryqëzimit vjen ringjallja, sepse e gjithë jeta është sakrificë. Sot do të doja të uroja të gjithë besimtarët katolikë dhe shqiptarët për më shumë paqe, harmoni, dashuri, qetësi dhe mirëkuptim në familje dhe në shoqërinë tonë”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Meta.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama uroi përmes një statusi në Facebook, ku fjalët e zakonshme “Gëzuar Pashkët”, i kishte shoqëruar me një foto vezësh të ngjyrosura, karakteristikë e kësaj feste. Urimet në emër të Partia Socialiste u bënë edhe nga Lindita Nikolla, e cila foli e vetme nga Katedralja, edhe pse shoqërohej nga ministri Erion Veliaj dhe deputeti Blendi Klosi.

“Sot është një ditë e bukur, ndaj ne donim t’i uronim të gjithë shqiptarëve, specifikisht katolikëve gëzuar Pashkët, për shumë vjet këtë ditë të ringjalljes, të rilindjes së vlerave të harmonisë, mirëkuptimit dhe tolerancës”, uroi Lindita Nikolla.

Ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha, nëpërmjet një kartoline postuar në Facebook ka zgjedhur këto fjalë për të uruar. “Të dashur vëllezër dhe motra, katolikë dhe ungjillorë, ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët”.

Top Channel