Aksioni polici-OSHEE, 10 persona të arrestuar për vjedhje energjie

05/04/2015 00:00

Aksioni i përjavshëm i zhvilluar në mbarë vendin nga grupe të përbashkëta Polici-OSHEE ka vijuar me 90 grupe këtë javë, të cilët kanë kontrolluar anembanë vendit 6804 raste, për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.

Si rezultat i kontrolleve të kryera, siç bën të ditur Policia e Shtetit, janë evidentuar 33 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me po kaq autorë, ndër të cilët 10 janë arrestuar në flagrancë, 10 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe ndiqen në gjendje të lirë 13 të mbeturit. Ndërkohë, nuk kanë munguar edhe masat ndaj punonjësve të OSHEE, teksa një faturist është proceduar penalisht në Lezhë për “shpërdorim detyre”.

Gjatë kësaj jave janë ndërprerë 2990 lidhje të abonentëve debitorë dhe 33 lidhje të paligjshme. Gjithashtu, sipas raportit të policisë, janë kontrolluar 117 kabina elektrike.

Policia e Shtetit dhe OSHEE theksojnë edhe njëherë se janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Top Channel