Mirëdita apo dobar dan, një përshëndetje që do të duhej të përçojë përzemërsi dhe gjuhët, që do të duhej të shërbenin për komunikim, kthehen në një urrejtje shekullore. Grindje, gjak, vrasje, që në fund kthehen në një tragjedi të përgjithshme.

Shekspiri, në regjinë e aktorit e regjisorit të njohur serb, Miki Manjoloviç, në shqip e serbisht, sjell një version të ri të “Romeo dhe Zhulieta”, në një funksionim kompakt të skenës, mjeshtri aktrimi të aktorëve nga Kosova dhe Serbia.

Në sallën e Qendrës Radionica, e cila së bashku me Qendrën Multimedia nga Prishtina organizojnë shfaqjen, aktorët bashkë me regjisorin bëjnë përgatitjet e fundit. Në një atmosferë çlodhjeje dhe bashkëpunimi profesional, larg konturave politike, ata i japin dashurisë dhe tragjedisë një frymë të re.

Regjisori, i cili ka luajtur edhe shqiptarin në filmat serb, por edhe një nga më të mirët në Serbi, thotë se ka ndodhur një proces krejtësisht i natyrshëm i bashkëpunimit profesional.

“Përjashtimi, edhe pse kjo nuk ka lidhje me shfaqjen, ose idea se kombi ynë duhet të jetë i pastër dhe nuk duhet të ketë lidhje me askënd tjetër, është një ide e gabuar. Të gjithë ata që e mbrojnë kombin, atë serb dhe atë shqiptar, dhe thonë se ne këtu duhet të ndërtojmë mure apo se nuk duam t’u shohim, as ju ne, e as ne ju, e kanë gabim. Vetmia është e tmerrshme. Vetmia është dënimi më i madh. Është diçka që shënon fillimin e fundit”, tha Miki Manojloviç, regjisor.

Aktorët presin shfaqjen që të tregojnë punën e tyre. Premiera zhvillohet sot në mbrëmje. Prej tre muajsh, aktorët nga Kosova kanë punuar në kryeqytetin serb, por shfaqja është përgatitur prej një viti. Tashmë ata do të sjellin bashkë në skenë, diçka që nuk ka nevojë për përkthim, por për ndienja.

Regjia: Miki Manojloviç
ESKALO – Mensur Safçiu
PARIS – Nikola Rakoçeviç
MONTEKI – Armend Ismajli
KAPULET – Nebojsha Glogovac
ROMEO – Alban Ukaj
MERKUCIO – Goran Jevtiç
BENVOLIO – Armend Baloku
TIBALT – Faris Berisha
LORENCO – Uliks Fehmiu
Zonja MONTEKI – Edona Reshitaj
Zonja KAPULET – Natasha Tapushkoviç
JULIA – Milica Janevski/Jovana Gavriloviç
JULIJINA DADILJA – Anita Maçiç
NARATOR – Arta Selimi

Top Channel