Ferrari përgëzohet edhe nga familja Schumacher. Mesazh “përlotës”

05/04/2015 00:00

Fitorja e parë e Ferrarit pas dy vitesh dhe e para për Sebastian Vettel me “kokëkuqen”, pas një sezoni zhgënjyes me “Red Bull”-in, me të cilin fitoi edhe 4 tituj kampion bote, nuk ka ngazëllyer vetëm tifozët e skuderisë nga Maranello, por edhe një person të veçantë.

Bëhet fjalë për Michael Schumacher, mes gjithë atyre që kanë përgëzuar Ferrarin pas suksesit të arritur në Sepang të Malajzisë, në garën e dytë të sezonit të Formula 1.

Përmes zëdhënëses së tij, Sabine Kehm, familja e 7 herë kampionit të botës me Ferrarin u ka dërguar një mesazh përgëzimi drejtuesve dhe punonjësve të skuderisë italiane. Një mesazh aq prekës, saqë drejtuesi Maurizio Arrivabene tregon se nuk i përmbajti lotët.

“U përpoqa ta merrja ftohtësisht mesazhin gjatë gjithë kohës, por ai mesazh më bëri të shpërtheja në lotë”, tregon lideri i skuderisë për të përditshmen gjermane “Bild”.

Kjo është shfaqja e radhës e afeksionit dhe lidhjes së pazgjidhshme mes Ferrarit dhe Schumacherit, i cili sot (këtë sezon) duket se po shijon parashikimin e tij të disa sezoneve më parë, që Sebastian Vettel do të ishte “trashëgimtari” i tij te “kokëkuqja”.

Top Channel