Erdogan do të vizitojë Iranin, pavarësisht tensioneve në rajon

05/04/2015 00:00

Presidenti turk, Tayyip Erdogan do të vizitojë Teheranin, ku do të zhvillojë takime të nivelit të lartë gjatë së martë, pavarësisht tensioneve të fundit në lidhje me operacionin e bombardimeve të udhëhequr nga sauditët në Jemen.

Vizita ka qenë planifikuar dhe lënë në pritje prej kohësh, por disa ligjvënës iranianë kanë bërë thirrje për ezaurimin e saj gjatë javës së kaluar, pasi Erdogan mbështeti publikisht operacionin e Arabisë Saudite kundër rebelëve Huthi, aleatë të Iranit, madje kritikoi Teheranin se po përpiqej të “dominonte në rajon”.

Erdogan, i shoqëruar nga një delegacion ministrash turq, do të udhëtojë drejt Republikës Islamike ku do të takohet si me Presidentin Hassan Rouhani, edhe me liderin suprem Ali Khamenei, sipas deklaratës së publikuar në faqen e Presidencës turke, gjatë së shtunës. Ndërkohë, agjencia iraniane e lajmeve “Mehr” e raportoi këtë lajm mëngjesin e së dielës.

“Gjatë vizitës do të adresohen marrëdhëniet bilaterale në të gjitha përmasat e tyre, si dhe do të ketë një shkëmbim pikëpamjesh në lidhje me disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Dy vendet në fjalë kanë lidhje të ngushta ekonomike, duke qenë se Irani, i cili është goditur nga sanksionet e Perëndimit, rezulton furnizuesi i dytë më i madh me gaz ndaj Turqisë që vuan për energji, duke ofruar rreth 10 miliardë metër kub në vit.

Gjithsesi, marrëdhëniet diplomatike kanë pësuar “dëmtime” gjatë viteve të fundit, me mosmarrëveshje të thella në lidhje me zgjidhjen e luftës civile në vendin fqinj të Sirisë.

Top Channel