Iran, disa gara sportive mund të ndiqen edhe nga gratë… nga viti i ardhshëm

05/04/2015 00:00

Që prej Revolucionit islamik të vitit 1979 në Iran, gratë nuk janë lejuar të marrin pjesë në shumicën e shfaqjeve sportive ku përfshihen meshkujt. Por, situata duket se do të përmirësohet gjatë muajve të ardhshëm, pasi një zyrtar i lartë i Sportit në Iran tha se ndalimi do të hiqet për disa evente.

Plani për të lejuar “gratë dhe familjarët” që të hyjnë nëpër stadiume sportive do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, është cituar të ketë thënë zv.ministri i Sporteve, Abdolhamid Ahmadi, gjatë së shtunës, sipas medieve shtetërore.

Megjithatë, ende nuk është bërë e qartë se cilat lojëra do të jenë ato të lejuarat për t’u ndjekur prej grave. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Press TV”, Ahmadi ka bërë të ditur se kufizimet do të hiqen për ngjarjet sportive që zhvillohen me dyer të mbyllura.

Rregullat nuk do të ndryshojnë për të gjitha ndeshjet, sepse disa sporte janë tërësisht të lidhur me meshkujt dhe “familjet nuk kanë interes për t’i ndjekur ato”, është cituar të ketë thënë ai nga “Press TV”.

Autoritetet iraniane kanë vendosur këtë ndalim ndaj grave në të gjitha eventet sportive pas revolucionit, duke pretenduar se turmat e përziera për të parë një ndeshje ishte kundër rregullave islamike. Përgjatë këtyre dekadave, turmat nëpër lojëra sportive, qoftë edhe futbolli që është sporti më popullor në Iran, kanë qenë të përbëra vetëm nga meshkuj.

Qeveria iraniane ka qenë nën një presion të vazhdueshëm prej zyrtarëve ndërkombëtarë të sportit për këto kufizime, teksa edhe presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka bërë thirrje ndaj Iranit muajin e kaluar t’i japë fund “ndalimit të patolerueshëm” të grave nëpër stadiumet ku luhet futboll.

Top Channel