Papa uron Pashkët edhe në shqip. Mijëra besimtarë, në meshën e “Shën Pjetrit”

05/04/2015 00:00

Mesha e Pashkëve nisi mes shiut në sheshin e “Shën Pjetrit”, në Vatikan. Reshjet e mëngjesit nuk i ndaluan, megjithatë, dhjetëra-mijëra besimtarë të bëheshin pjesë e shërbesës së shumëpritur, të kremtuar nga Papa Françesku.

“Krishti është gjallë dhe ecën mes nesh”, kishte shkruar ai në Twitter, përpara se t’u drejtohej turmës së pelegrinëve dhe të gjithë botës, në ditën më të shënuar të kalendarit liturgjik të Kishës Katolike.

Mesazhin “Urbi et Orbi” drejtuar “qytetit dhe botës”, Ati i Shenjtë e shndërroi në një thirrje për paqe në këtë glob të nënshtruar prej armëve. Siria dhe Iraku ishin në qendër të apelit, drejtuar komunitetit ndërkombëtar për t’u dhënë zgjidhje tragjedive të jashtëzakonshme njerëzore të konsumuara në të dy këto vende.

“Lutemi për paqe mbi të gjitha në Siri dhe Irak. Lutemi, që gjëmimi i armëve të reshtë dhe marrëdhëniet paqësore të vendosen sërish mes grupeve të ndryshme të besimtarëve në këto vende. Uroj që komuniteti ndërkombëtar të mos qëndrojë më indiferent përballë tragjedive të mëdha njerëzore, që po zhvillohen në këto vende dhe dramës së refugjatëve të shumtë”, tha Papa Françesku.

Në fjalën e Papes pati hapësirë edhe për një përshëndetje të marrëveshjes së arritur në Lozanë të Zvicrës, mbi programin bërthamor të Iranit, si hap drejt një bote më të sigurt, ndërsa nuk mungoi pohimi se, mendimet dhe lutjet e tij në këtë ditë shkonin për të rinjtë e vrarë të enjten në universitetin e Garisës në Kenia.

Sheshi i “Shën Pjetrit” ishte pratikisht i blinduar. Për garantimin e sigurisë së mijëra besimtarëve të mbledhur atje u angazhuan mbi 300 efektivë të forcave të rendit. Në mbarë botën, katolikët kremtojnë sot ditën e Ringjalljes së Krishtit në Jeruzalem, rreth 2000 vjet më parë.

Mbrëmjen e së shtunës, meshën e vigjiljes së Pashkëve, Papa argjentinas e kremtoi në mesin e shqetësimeve, që sa vijnë e shtohen në Vatikan, mbi martirët e krishterë të ditëve tona. Ati i Shenjtë hyri në Bazilikën e “Shën Pjetrit” me një mesazh të qartë për shërbesën, që paraprin kremtimet e Pashkëve, kujtesë e Ringjalljes së Jezu Krishtit pas vdekjes në kryq.

Misteri i kësaj feste, – tha Papa argjentinas në predikimin e tij, – kërkon nga besimtarët të përpiqen të gjejnë përgjigje te pyetjet që sfidojnë besimin, besnikërinë e madje edhe vetë ekzistencën tonë. Gjatë meshës së orëve të vona të mbrëmjes, Ati i Shenjtë pagëzoi 10 persona nga Italia, Portugalia, Shqipëria, Kenia dhe Kamboxha.

FOTO GALERI
1/14

Top Channel