Një marrëveshje ndërqeveritare midis Greqisë dhe SHBA-ve, sipas së cilës Qeveria “Tsipras” i jep 500 mln dollarë kompanisë amerikane “Lockheed Martin” për modernizimin e 5 avionëve të vjetër luftarakë, ka shkaktuar reagime të mëdha në vend.

Lajmin e publikon gazeta “Protothema” e së dielës, e cila disponon edhe dokumentin e firmosur nga kryeministri dhe disa ministra të Qeverisë, që konsiderohet si një nga shpenzimet më të mëdha të vendit për arsenalin ushtarak në vitet e fundit. Greqia i jep paradhënie 45 mln dollarë kësaj kompanie dhe pjesën tjetër do ta paguajë me këste, në 7 vitet e ardhshme.

Kjo kontratë, e cila nuk ka marrë as miratimin e Parlamentit, bëhet në një moment asfiksie të plotë financiare në vend, kur Qeveria është në dilemë se kë të paguajë më parë: rrogat dhe pensionet apo këstet ndaj kreditorëve të huaj. Ndërsa vetë Syriza, kur ka qenë në opozitë, për shumë vite me radhë ka kundërshtuar programet e ndryshme të armatimeve ushtarake.

Reagimet vijnë edhe për faktin se, avionët në fjalë janë të një “moshe” 35-vjeçare, ishin lënë pas dore prej vitit 2009 dhe modernizimi i tyre mund të jetë i padobishëm. Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes deklaron se investimi, që është i domosdoshëm, do iu shtojë edhe të paktën 20 vjet jetë avionëve në fjalë dhe se, kusht kryesor është që punimet dhe ndryshimi i pjesëve të këmbimit të bëhet nga repartet e industrisë ushtarake të Greqisë.

Vetëm disa ditë pasi është nënshkruar kjo kontratë, ministri grek i Mbrojtjes dhe njëkohësisht lideri i partisë së vogël të djathtë të koalicionit qeveritar, Panos Kamenos, ka deklaruar se do të dëshironte që Greqia dhe SHBA-të të shfrytëzonin bashkërisht burimet e hidrokarbureve në zonat e detit Egje, për të cilat ka pretendime edhe Turqia.

Analistët vendas dhe të huaj vëzhgojnë me vëmendje strategjinë e politikës së Jashtme, që po ndjek Athina, e cila nga njëra anë kërkon nga partnerët e saj europianë ndihmë financiare në mënyrë që të shlyejë borxhin, dhe nga ana tjetër lidh kontrata të mëdha për armatime ushtarake me SHBA.

Shqetësim për zhvillimet gjeopolitike në rajon sjell edhe vizita e kryeministrit Tsipras në Moskë, i cili thuhet se do të kërkojë mbështetje politike dhe ekonomike nga Kremlini, ndërsa është paralajmëruar nga kreu i PE-së, Martin Shultz, dhe zv.kancelari gjerman, Zigmar Gabriel, që të mos shkaktojë pakënaqësi te partnerët europianë me këto lëvizje politike.

Top Channel