Vezët e ngjyrosura janë pjesë e pandashme e kremtimit të Pashkëve në botën e krishterë, një zakon ky i përcjellë në shekuj.

Fillimisht ishin priftërinjtë, ata që u shpërndanin pjesëtarëve të bashkësisë vezë të ziera fort, të lyera me ngjyrë të kuqe, si simbol i ringjalljes së Jezusit. Më vonë, njerëzit nisën t’i ngjyrosnin vetë, duke i shtuar zbukurime nga më të ndryshmet, e duke i ndarë edhe me të tjerët jashtë familjes.

Një traditë e hershme, që e sjell më pranë të gjithëve frymën e festës. Veza për të krishterët është simboli i jetës së re. Por, përpos saj, çfarë nuk duhet të mungojë tjetër për Pashkë?

Simitet e ngrohta me shenjën e kryqit sipër, zakonisht konsumohen në “të premten e mirë”, një supersticion i hershëm, sipas të cilit ndarja e tyre me të tjerët nënkupton çimentimin e miqësive. Justifikim i mirë për të pjekur një furrë plot me kuleçë!

Vezët e çokollatës, qofte të blera, qofte të bëra vetë, janë gjithashtu pjesë e kësaj feste në shumë shtëpi, për kënaqësinë e të vegjëlve dhe të të rriturve. Keku me fruta, i mbuluar nga një shtresë brumi bajamesh dhe 11 toptha të vegjël marzipani, që përfaqësojnë 11 dishepujt besnikë të Krishtit, është ëmbëlsirë historike e simbolike bashkë, dhe konsumohet që prej kohës së Mesjetës në këtë ditë të shënuar të kalendarit katolik.

Recetat për një ditë të tillë festive janë të shumta dhe variojnë nga një rajon në tjetrin, por disa nuk e mendojnë dot tryezën e Pashkës pa një rosto të shijshme, apo mish qingji të pjekur.

Ëmbëlsira tipike për italianët në këtë ditë është pastiera, një kek i bërë me gjizë të butë, pa kripë, i cili origjinën e ka nga zona e Napolit. Besohet se ai vjen prej bukës së përdorur në rituale gjatë periudhës së Kostandinit të Madh dhe bëhej me mjaltin dhe qumështin e ofruar gjatë mbrëmjes së Pashkëve, në fund të ceremonisë së pagëzimit.

Top Channel