Pavarësia e medias në Ballkan. OSBE: Në Shqipëri, shqetësim linja editoriale e TVSH

05/04/2015 00:00

Komiteti Ekonomik e Social Europian, një organ konsultativ i BE-së organizoi konferencën e posaçme me temë “Pavarësia e shërbimit të medias publike në vendet e zgjerimit”, ku u diskutua edhe mbi median private, shoqërinë civile, presionet politike dhe financiare, transparencën, autocensurën dhe përcaktimin e “gazetarisë investigative”.

Në përgjithësi, pavarësia e medias rezulton më pak problematike në Tiranë, sesa në Beograd, Shkup, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë apo Ankara, siç raportuan të ftuarit nga rajoni dhe organizatat e ndryshme. Drejtuesi i seancës u ndërpre nga përfaqësuesi shqiptar, kur ai përgjithësoi tipare të transmetuesit publik, si të medias vendase e të shoqërisë civile.

Remzi Lani, drejtor Ekzekutiv i Institutit të Medias: Nuk dua të keqkuptohem. Televizioni publik nuk përfaqëson as median shqiptare dhe as shoqërinë civile në Shqipëri. Nëse flasim për median, Shqipëria ka sot mbase median më të lirë të Ballkanit. Nëse flasim për shoqërinë civile, Shqipëria ka mjedisin më liberal dhe kjo, sepse Shqipëria mendoj se ka për momentin në Qeveri njerëzit më liberalë në Ballkan. Televizioni publik, për të cilin po flasim është dështim i madh.

Frane Maroevic, përfaqësues i OSBE: Në Shqipëri kanë kaluar dy vjet nga miratimi i ligjit në Parlament për transmetuesit e mediave dhe ende nuk ka rezultate domethënëse në zbatimin e tij. Nuk ka ndryshime thelbësore në Këshillin Mbikëqyrës të transmetuesit publik, çfarë varet nga vullneti politik dhe konsensusi në Parlament. Shqetësimet mbeten për pavarësinë editoriale të transmetuesit publik dhe për të gjitha këto përpjekje të nevojshme, për ta transformuar atë në një transmetues të qëndrueshëm publik, me autonomi financiare e llogaridhënie publike.

Oliver Vuljaniç, sekretar i Përgjithshëm i SEEMO: Në përgjithësi, gjithmonë ushtrohet ndikim i fortë politik nga Qeveria për ndryshimet në televizionin publik dhe kjo nuk është e mirë. Si rezultat, në fund kemi atë që shohim në Shqipëri, por s’është vetëm atje ky fenomen, që njerëzit e thjeshtë nuk besojnë më në televizionin publik.

Kreu i Institutit të Medias nuk pret ndonjë zgjidhje të shpejtë për situatën e paligjshmërisë së transmetuesit publik. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, e veçanta për Shqipërinë është “injorimi i TVSH-së”, sipas tij jo vetëm nga teleshikuesit, por dhe nga politikanët që synojnë ekranet private.

Remzi Lani, drejtor Ekzekutiv i Institutit të Medias: Televizioni publik në Shqipëri, më shumë se nga kontrolli, kam frikë se kërcënohet nga neglizhimi, nga injorimi. Kjo, edhe për shkak të suksesit që kanë transmetuesit privatë, të cilët janë ndër më të mirët e rajonit. Kur vjen puna për TVSH, askush nuk merret seriozisht.

Knut Fleckenstein, zëvendëspresident i S&D në PE: Mediat private mund të duken të pavarura ndaj ndërhyrjeve shtetërore, por ato mund të kenë presione financiare për motive reklamash, apo presione politike për arsye pronësie, miqësie, e kështu me radhë.

Konkluzionet e kësaj konference do të paraqiten më 2-3 Qershor, gjatë Forumit të pestë ballkanik në Beograd, së bashku me rekomandimet përkatëse, ku në nivel ndërkombëtar kërkohet më tepër mbështetje për transmetuesit publik në vendet e zgjerimit; në nivel europian mbeten raportet e progresit të Komisionit, por shfaqet nevoja për një politikë të duhur të medias; ndërsa në nivel kombëtar i kërkohet transmetuesit publik europian të shpërndajë parimet themelore, editoriale dhe menaxhuese ndaj transmetuesve publikë vendas, të cilët inkurajohen për qasje proaktive dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel