Tri ditë zie në Kenia, 148 persona u ekzekutuan nga terroristët e Al Shabab

05/04/2015 00:00

Kenia vajton të vdekurit e Garisses, 148 viktimat e sulmit të përgjakshëm në universitetin e këtij qyteti, që ishte vepër e militantëve të grupit ekstremist islamik, Al Shabab. Tri ditë zie kombëtare janë shpallur në nderim të studentëve të vrarë, në masakrën e konsumuar vetëm pak ditë përpara Pashkëve.

Shumica e viktimave ishin të krishterë. Ceremonitë kremtuese të Pashkëve do të kujtojnë pikërisht këta të rinj, të shuar prej një dhune absurde. Sulmi brutal e ka errësuar atë që duhej të ishte një ditë e gëzueshme sot për kalendarin e kishës, në një vend ku pothuajse 80% e popullsisë i përket besimit të krishterë.

Si të mos mjaftojë makthi që po përjeton qyteti verilindor, militantët e Al Shababit premtuan të kryejnë edhe një gjakderdhje tjetër. Deklarata e grupit terrorist pasoi zotimet e zyrtarëve kenianë për të forcuar masat e sigurisë në përgjigje të masakrës.

Disa arrestime janë kryer dhe vetë presidenti Uhuru Kenyatta u zotua se, përgjigjja ndaj sulmit ka për të qenë më e ashpra e mundshme. “Vrasjet – tha ai, – duhet ta bashkojnë kombin tonë, e jo ta përçajnë”. Premtimet e kreut të shtetit për veprim vijnë në mesin e kritikave për një reagim tepër të ngadaltë ndaj krizës.

Forcave speciale, sipas raporteve në mediat vendase, iu desh shumë kohë që të mbërrinin në vendin e ngjarjes. Gazeta kryesore “Kombi” shkruan se efektivët mbërriten në Garissa 7 orë pas njoftimeve të para për sulmin në universitet, duke lëvizur edhe më ngadalë se gazetarët, që ishin nisur prej kryeqytetit Nairobi, të ndodhur 365 km larg.

Masakra e së enjtes përbën episodin më vdekjeprurës në Kenia, që prej sulmit me bomba të vitit 1998 në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara. Ky është gjithashtu sulmi i Al Shababit me numrin më të madh të viktimave, që prej mësymjes së qendrës tregtare “Westgate” dy vjet më parë, ku u shkaktuan 67 viktima.

Top Channel