Tensionohet situata në lindje të Ukrainës, vriten 6 ushtarë

05/04/2015 00:00

Zyrtarë të qeverisë ukrainase kanë njoftuar se 6 ushtarë janë vrarë në lindje të vendit në dy sulme të ndara, sipas tyre nga forcat pro-ruse.

Në incidentin e parë mbetën të vrarë 4 ushtarë ukrainas. Ministria e Brendshme tha në një deklaratë se automjeti me të cilin po lëviznin ushtarët është qëlluar me një raketë anti-tank në Schastye, në afërsi të Luganskut që kontrollohet nga rebelët. Në ngjarjen e dytë, pranë qytetit të Mariupolit, dy ushtarë mbetën të vdekur në vendngjarje, ndërsa një i tretë u dërgua në spital me plagë të rënda, pas shpërthimit të një mine.

Një ditë më parë, 3 ushtarë të tjerë mbetën të vrarë në një shpërthim pranë Donetskut.

Një armëpushim i brishtë mes forcave pro-ruse dhe qeverisë ukrainase është në fuqi që prej muajit shkurt. Në disa raste ka pasur shkelje të armëpushimit, i cili u arrit ndërmjet liderëve të Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës.

Të paktën 6 mijë persona janë vrarë që prej fillimit të luftimeve në Ukrainën Lindore mes separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase.

Top Channel