Rivarrosen eshtrat e 28 viktimave të luftës në Rezallë

06/04/2015 00:00

Të dielën janë rivarrosur eshtrat e 28 viktimave të luftës në Rezallë të Skënderajt, në 16-vjetorin e masakrës. Eshtrat u gjetën vitin e kaluar në Rudnicë të Rashkës, ndërsa u janë kthyer familjarëve 3 ditë më parë.

Homazhe në Rezallë bëri kryeministri Isa  Mustafa, kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, e personalitete e qytetarë të shumtë.

Në emër të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, familjarëve të viktimave, iu drejtua Rifat Jashari: “Këto sot duhet të jenë më të forta se kurrë tani, edhe më krenare se kurrë tani, për këta bij dhe bija që ia falën jetën lirisë së Kosovës, të cilën e gëzojmë ne sot. Vëllezër dhe motra, ky tubim sot duhet të jetë udhërrëfyes i gjithë ne shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës që të bashkohemi njëherë e përgjithmonë, të punojmë bashkërisht, si popull e si komb.”

Nënkryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura, tha se masakra e Rezallës u kujtua si shembull i gjenocidit serb: “Masakra e Rezallës e vitit 1999 ishte dhe mbetet shembulli tipik i gjenocidit të ushtruar nga forcat paramilitare serbe të luftës në Kosovë. Insititucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ato komunale, në shenjë përkujtimi të të rënëve në Rezallë, tashmë kanë ndërtuar një kompleks përkujtimor, i cili do të mbetet shenjë e përhershme për kujtimin dhe falenderimin për sakrificën e banorëve të kësaj ane.”

Kryetari i OVL UÇK, Xhavit Jashari, tha se institucionet e vendit duhet të jenë më të kujdesshme kur bëhet fjalë për luftën dhe sakrificën e të rënëve. Madje, ai përmendi edhe Gjykatën Speciale, ku tha se nuk kanë nevojë institucionet të votojnë një gjykatë të tillë.

“Sot, flet Rezalla se kush i bëri krimet ndaj popullatës së pafajshme, pra krimet i bëri ushtria e policia e Serbisë. Andaj, sikur sot edhe nga varret dëshmorët na thonë se nuk ka nevojë të formojmë Gjykata Speciale, nuk kanë nevojë institucionet tona që të votojnë dhe t’i aprovojnë këto gjykata sepse pastërtia e luftës ishte drejtë, ishte e shenjtë në shërbim të lirisë së atdheut”, theksoi Jashari.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, tha se për të arritur deri tek gjetja e tyre ka pasur nevojë për një punë të madhe ekipore.

Në fshatin Rezallë të Skënderajt, me 5 prill të vitit 1999, u vranë 38 persona. Fillimisht, paramilitarët serbë mblodhën gjithë banorët në një vend, nga ku liruan gratë dhe fëmijët, ndërsa burrat i vranë.

Deri më tani, janë gjetur 30 trupa, ndërsa ende nuk dihet edhe për fatin e 8 të tjerëve.

Top Channel