Masakra në Kenia, njëri nga agresorët është djali i një zyrtari qeveritar

06/04/2015 00:00

Njëri prej autorëve të masakrës së të enjtes në universitetin e
Garissa-s, një episod i përgjakshëm që tronditi Kenian dhe mbarë botën
vetëm pak ditë përpara festës më të shënuar të kalendarit katolik,
Pashkëve, është i biri i një zyrtari të lartë qeveritar.

Informacionin e përcolli zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, i cili sqaroi se Adbi-Rahim Abdullahi ishte njëri nga katër personat e armatosur që mësynë kolegjin universitar dhe vranë 150 të rinj, shumica të krishterë. Zyrtari në fjalë duket se e kishte njoftuar më parë zhdukjen e të birit. Por kjo formë distancimi e tij nuk mjafton për të fashitur zemërimin e banorëve të Garissa-s, të cilët janë të bindur se qeveria mund ta kishte parandaluar masakrën, por dështoi ta bënte një gjë të tillë.
 
“Gjendja e sigurisë është shumë e keqe. Për ne, faji është i gjithi i qeverisë, sepse nuk duket se po bën diçka në këtë drejtim”, thotë një banor i zonës.

Edhe pse shefi i Sigurisë së Kenias e mbrojti me forcë reagimin e forcave speciale ndaj sulmit, Agjencia Franceze e Lajmeve AFP njoftoi se u deshën të paktën shtatë orë që forcat speciale të shkonin në skenën e masakrës, pas fluturimit nga kryeqyteti Nairobi, më vonë se gazetarët e nisur nga kryeqyteti, i ndodhur 365 kilometra larg.

Masakra e militantëve somalezë të Al Shabaab-it ndaj studentëve kenianë shkaktoi hidhërim dhe tronditje në mbarë botën. Por terrori me sa duket nuk ka marrë fund, pasi ekstremistët islamike paralajmërojnë për akte të tjera dhune.

Top Channel