F1, Hamilton: Pista e Shangait u përshtatet karakteristikave të mia

06/04/2015 00:00

Lewis Hamilton, kampioni në fuqi i Formulës 1, shpreson që Mercedesi t’i ketë zgjidhur problemet e shfaqura në Malajzi dhe ka besim se do të fitojë në një pistë që u përshtatet karakteristikave të tij.

“Malajzia ishte një fundjavë e vështirë. Bënte shumë nxehtë. Të premten kishim probleme me makinën, të shtunën ra shi dhe të dielën nuk bëmë garën që kishim parashikuar”, u shpreh piloti britanik në deklarata të publikuara nga skuderia gjermane.

Ai shtoi se, Mercedesi po punon për garën e radhës në Kinë, por “duke analizuar edhe atë që ndodhi në Malajzi”.

“Shangai është një nga pistat e mia të preferuara. Më pëlqejnë shumë tifozët, pasi na presin me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Është e mrekullueshme ndjesia që na falin. Gjithashtu, Shangai ka një pistë që u përshtatet karakteristikave të mia”, shtoi Hamilton.

Pas dy garash të zhvilluara deri tani, britaniku Lewis Hamilton kryeson renditjen e pilotëve me 3 pikë më shumë se gjermani Sebastian Vettel (Ferrari).

Top Channel