Kontroll për origjinën e kafshëve, asgjësim për rastet e falsifikimit

06/04/2015 00:00

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka nisur një aksion për mbikëqyrjen e tregjeve të kafshëve, pas urdhrit të firmosur nga ministri Edmond Panariti.

Ky aksion synon të mbikëqyrë tregjet e bagëtisë për të verifikuar origjinën e kafshëve dhe certifikatat shoqëruese veterinare.

Mbikëqyrja mbështetet në sistemin e gjurmimit përmes verifikimit të matrikujve, të cilët lidhin identitetin e gjedhëve dhe të imtave me subjektin dhe fermën ku ato mbarështohen. Në rastet kur në treg do të zbulohen kafshë me origjinë të rremë, ato do të konfiskohen dhe asgjësohen, ndërsa subjekti tregtues do të përballet me penalitete.

Gjurmimi i origjinës së kafshëve dhe shpendëve për prodhim mishi, qumështi dhe vezëve është garanci për sigurinë ushqimore të konsumatorit.

Ministri Panariti kërkoi që, krahas verifikimit me numër matrikulli të zbatohet edhe gjurmimi digjital i prejardhjes së kafshëve dhe shpendëve për mish, qumësht dhe vezë.

Top Channel