Marinzë, probleme shëndetësore nga ndotja

06/04/2015 00:00

Gazi që del nga nëntoka, por edhe ndotja shumë e madhe në zonën e Patoz
Marinzës, ka bërë që 24 banorë nga fshati i vogël i Marinzës të kërkojnë
ndihmë mjekësore.

Kjo konfirmohet nga përfaqësuesit e Shëndetit Publik, të cilët pohojnë se janë dy gra dhe ato qëndruan për 12 orë në spital.

“Kam dhimbje kockash, dhimbje trupi, të vjella, marrje fryme. Unë kam marrë mjekim për këto probleme që më janë shfaqur”, thotë Entela Nushi, banore e Marinzës.

Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, simptomat e këtyre personave nuk janë si pasojë e gazit, por vijnë si rezultat i ndotjes së përhershme që ka kjo zonë.

“Jo vetëm gjatë ditës së djeshme, por edhe gjatë ditëve të tjera ka patur persona me simptoma të tilla. Janë 24 persona që janë paraqitur me probleme shëndetësore”, thotë Kreshnik Tërrnova, drejtori i Shëndetit Publik.

Problemi më i madh për banorët është uji. Për shkak të ndërhyrjes nga nëntoka, të gjitha puset dhe burimet nëntokësore janë kontaminuar. Uji nuk mund të përdoret, ndërkohë që në zonë do të shpërndahen kimikate për të dezinfektuar territorin.

“Kam dhënë urdhër që uji të mos përdoret fare në të gjithë territorin dhe një pus është mbyllur. Ne jemi duke matur edhe përbërjen bakterologjike. Uji në zonë ka rezultuar me disa baktere dhe e kemi ndaluar përdorimin e ujit, si për përdorimin vetjak, ashtu edhe për kafshët”, sqaron Tërrnova.

Ndërkohë në zonën e prekur nga shpërthimi janë vendosur shirita të sigurimt të vendngjarjes që nuk lejojnë lëvizjen e banorëve, pasi toka dhe shtëpitë ka rrezik të shemben në çdo çast.

Top Channel