Enigma e kandidatëve të mazhorancës. Tirana, mes Veliajt dhe Klosit

06/04/2015 00:00

Mesi i kësaj jave do t’i japë fund dilemës, se cilët do të jenë
kandidatët e koalicionit të majtë për zgjedhjet lokale të 21 qeshorit.

Mbetet e hapur në selinë rozë gara për Tiranën, se kush do të jetë kandati për garën e rëndësishme dhe të komplikuar për drejtimin e kryeqytetit.

Top Channel ka mësuar se në selinë e PS një ekip i dedikuar vijon sondazhet. Nëse në javët e shkuara sondazhet janë zhvilluar për disa emra kandidatësh, javën e fundit lista është reduktuar për të vjelë opinionet e publikut vetëm në dy emra, ministrin e Mirëqënies Sociale Erion Veliaj dhe Sekretarin Organizativ, Blendi Klosi.

Pavarësisht se të dhënat e sondazheve janë tërësisht sekret në PS, jozyrtarisht pohohet se Veliaj është më favoriti. Megjithatë do të jetë Kryeministri Edi Rama ai që do të vendosë mes Veliajt dhe Klosit, një vendimmarrje jo e lehtë, e cila parashikohet të jetë e minutës së fundit.

Po ashtu, ende nuk është vendosur për kandidatët e dy qarqeve të rëndësishme, siç janë Vlora dhe Fieri, ndërkohë që janë konfirmuar disa bashki të mëdha, si Shkodra, Durrësi dhe Elbasani.

Me gjasa, filtri final nga ku kandidatët do të kalojnë është miratimi në kryesisë të PS për t’i hapur rrugë anoncimit të emrave.

Top Channel