Kandidati i opozitës për Tiranën; në garë Aliaj, Duma, Kosova dhe Tabaku

06/04/2015 00:00

Do të duhen edhe disa ditë, derisa Partia Demokratike të vendosë kush do
të jetë personi me të cilin opozita do të përfaqësohet në zgjedhjet për
Bashkinë e Tiranës.

Alternativat e saj janë disa dhe secili me një profil aspak të ngjashëm me tjetrin. Në renditje alfabetike ata janë: Besnik Aliaj, Grida Duma, Halim Kosova dhe Jorida Tabaku. Ajo që i bashkon është vetëm kualifikimi i lartë akademik në fushat e ekspertizës përkatëse. Të katërt janë me titull doktor shkencash; Besnik Aliaj si urbanist, Grida Duma për shkencat sociale, Halim Kosova si mjek gjinekolog dhe Jorida Tabaku në ekonomi. Megjithatë, nuk është titulli akademik ai që do të jetë përcaktues në vendimin përfundimtar të demokratëve.
 
Besnik Aliaj u përfshi në politikë si pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave dhe pranoi të përballej në vitin 2005 me Kryeministrin Fatos Nano, në Sarandë. Pas fitores së demokratëve ishte këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe më pas i Kryetarit të Bashkisë, Basha, për çështjet e urbanistikës. Gjatë gjithë këtyre viteve, Besnik Aliaj nuk ka bërë protagonistin dhe, duke iu kushtuar profesionit, i ka qëndruar larg debatit të përditshëm politik, çka e ka mbajtur larg vëmendjes së qytetarëve.

E kundërta mund të thuhet për kandidaten tjetër, Grida Duma, e cila u njoh në 2011-n, pasi bëri moderatoren e bashkëbisedimit me qytetarët të kandidatit Lulzim Basha. Që atëherë, Grida Duma ka patur një karrierë të shpejtë politike, zëvendësministre e Integrimit dhe, me riformatimin e lidershipit demokrat, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun. Pjesëmarrëse aktive në çdo debat politik, Grida Duma ka veshur kostumin e një opozitareje luftarake, duke marrë përsipër edhe rrezikun e konsumimit. Gjatë këtyre muajve të fundit ajo është kujdesur që nga selia e Partisë Demokratike të denoncojë ekskluzivisht vetëm një ministër, Erion Veliajn.

Kandidatit tjetër, Halim Kosova, nuk i është dashur të mbajë një profil kaq të lartë publik për t’u njohur. Profesioni i tij i mjekut gjinekolog e ka bërë atë një figurë të nderuar në Tiranë dhe deri vonë, në 2013-n ishte i papërfshirë politikisht. Ai pranoi një ftesë të Kryeministrit Berisha për t’u bërë ministër i Shëndetësisë në muajt e fundit të qeverisjes dhe, nga ai pozicion, ishte mjaftueshëm kritik për sistemin e dobët shëndetësor që drejtonte. Gjatë kohës së opozitës Halim Kosova ka ruajtur një profil të ulët politik, duke mbajtur të larta kuotat e profilit të tij human.

Kandidatja tjetër, Jorida Tabaku, është një miks mes profilit politik dhe atij profesional, çfarë ia lejon karriera e saj në qeverisjen e Partisë Demokratike, një parti ku ajo është anëtarësuar që adoleshente dhe pati mundësinë të hynte në politikën e lartë aktive si zëvendësministre e Integrimit në vitin 2009. Pas zgjedhjeve lokale, Jorida Tabaku u bë pjesë e stafit të ngushtë të kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, dhe për dy vjet të tjera kreu detyrën e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, çka i lejon asaj të ketë njohje nga brenda të funksionimit të sistemit.  Periudhën në opozitë, Jorida Tabaku e kornizuar me një sjellje joagresive, ka mbrojtur çështje të rëndësishme të Partisë Demokratike, që kanë të bëjnë kryesisht me mirëqenien e qytetarëve, taksat dhe çmimet.

Po kush nga këta të katërt e përballon më mirë fushatën? Kush është më pak i cenueshem nga kundërshtari, kush është me integritet më të lartë? Kush jep më shumë pozitivitet, se sa negativitet tek elektorati? Kush është më i besueshëm? Kush merr më shumë vota në një bashki të stërmadhe, ku diferenca e votave, siç janë koalicionet tani, bazuar në rezultatet e 2013-s është po aq e stërmadhe? Këto nuk janë pyetje të lehta dhe Lulzim Bashës i duhet pak kohë derisa të marrë një nga vendimet më të rëndësishëm pas zgjedhjes në krye të Partisë Demokratike.
 

Top Channel