Raporti teknik për shpërthimet, ekspertët: Përgjegjësia e kompanisë, nuk parashikoi pasojat

06/04/2015 00:00

Raporti i grupit të ekspertëve, të ngritur nga Ministria e Energjisë për
shpërthimin e gazit dhe ujit në fushën naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës,
del në përfundimin se faji është i kompanisë ‘Bankers Petroleum’, që
ushtron aktivitetin e shfrytëzimit të naftës në këtë zonë.

Drejtori i AKBN-së, Dael Dervishi thotë se kompania duhet të kishte parashikuar xhepin e gazit karbonik, që shkaktoi fontanën dhe dëmtimin e shtëpive përreth.

“Nuk është ndjekur e gjithë procedura e saktë, në mënyrën e menaxhimit të këtij pusi. Ka patur një sasi CO2, që është injektuar aty përpara shumë viteve, rreth viteve 1989-’90 dhe shoqëria gjatë operacionit nuk e ka marrë parasysh këtë fakt. Operatori ka patur mundësinë ta parashikojë”, thotë Dervishi.

Por pavarësisht rezultatit të raportit, marrëveshja hidrokarbure e nënshkruar me kompaninë ‘Bankers Petroleum’, nuk parashikon asnjë penalizim ndaj kompanisë veç detyrimit për të dëmshpërblyer shtëpitë e banorëve. Sipas drejtorit të AKBN-së, këto marrëveshje të nënshkruara duke favorizuar kompanitë që ushtrojnë aktivitet në fushën e hidrokarbureve, duhen rishikuar dhe të shërbejnë për të ndryshuar në të ardhmen mënyrën se si do të jepen për shfrytëzim pasuritë tona natyrore.

“Të gjitha marrëveshjet hidro-karbure dhe të gjitha këto marrëveshje janë të ngjashme me atë të ‘Bankers’. Vendburimi i është lënë në menaxhim të plotë operatorit; e gjithë mënyra dhe vendin se ku vendoset që të hapet një pus është kompetencë e tij. AKBN-ja ka vetëm rolin e konsulentit të kompanisë, i cili është një rol i rëndësishëm dhe kompanitë shumë herë vijnë tek ne për të marrë mendimin tonë. Por në fund zgjedhja mbetet ekskluzivisht e tyre”, tha Dervishi.

Aktualisht janë 8 marrëveshje hidrokarbure nafte dhe gazi, por Ministria e e Energjisë, po përgatit një draft-marrëveshje të re, e cila do të shërbejë si bazë për kontratat që do të nënshkruhen në të ardhmen për shfrytëzimin e burimeve të naftës dhe gazit në vend.

Top Channel