Berat, transformatori i djegur, fasonët ngelen pa punë

06/04/2015 00:00

Djegia e një transformatori gjatë natës mes së dielës dhe së hënës, si rezultat i një shkarkese elektrike, ka bërë që gjithë zona industriale e Beratit të ngelet pa punë.

Rreth 30 biznese, fasonë dhe ushqimore, të cilat ndodhen në hyrje të qytetit, në zonën e ish-Kombinatit Tekstil, nuk kanë mundur të fillojnë punë sot këtë të hënë, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.

Rreth pesë mijë punëtorë janë kthyer në banesat e tyre, pasi asnjë prej aktiviteteve private të kësaj zone nuk ka hapur dyert, ndërkohë që dëmi i shkaktuar është tepër i madh.

Pranë nënstacionit të energjisë në qytetin e Beratit është ngritur mënjëherë një grup pune me specialistët që mbulojnë rajonin jug-perëndimor të vendit.

Drejtori Adrian Suko ka mbërritur që prej mesnatës së mbrëmeshme në nënstacionin e qytetit, ku ka nisur puna për zëvendësimin e transformatorit.

Drejtori premtoi se sapo të mbërrijë transformatori do të mbërrijnë në ndihmë dhe specialistë nga Fieri për ta vënë në punë sa më shpejt të jetë e mundur.

Top Channel