“Në laboratorin e Xibrakës prodhohej kokainë”

06/04/2015 00:00

Në laboratorin e Xibrakës në Elbasan, të zbuluar para pak muajsh, përpunohej dhe prodhohej lëndë narkotike kokainë.

Në këtë përfundim kanë mbërritur ekspertët gjermanë që kanë marrë mostra nga solucionet e sekuestruara në magazinat e braktisura të ushtrisë në Xibrakë.

Gazeta “Shqip”, duke cituar burime nga Prokuroria bën me dije se pesë ekspertët gjermanë kanë dalë në përfundimin se brenda solucioneve ka gjurmë lëndësh narkotike. Sasia nuk përcaktohet, por përflitet se ajo kap vlerën e miliona eurove.

Në fillim të muajit janar, pas sinjalizimit prej autoriteteve gjermane, policia shqiptare ndërmori një operacion masiv që çoi në gjetjen e laboratorit të fshehur në një ish-magazinë ushtarake dhe prangosjen e 8 personave, dy prej të cilëve shtetas kolumbianë.

Zbulimi i laboratorit u bë i mundur pas hetimeve që zgjaten
disa muaj. Nga të dhënat rezulton se droga mbërrinte në Shqipëri nga vendet e
Amerikës Latine e përzier me vaj palme dhe, në laboratorin e drogës në Labinot,
bëhej ndarja e saj. Më pas droga kishte si destinacion vendet e Europës.

 

Top Channel