Parlamenti francez i nxjerr “jashtë ligjit” modelet anoreksike

06/04/2015 00:00

“Pasi mbaroi shkolla në vitin 2010, ushqimi që unë konsumoja ishte vetëm një gotë kos dhe një pjatë pilaf në drekë. Aktualisht jam 37 kg dhe 1.54 m e gjatë. Pesha më e ulët që kam pasur ndonjëherë ka qenë 23 kg”.

Rrëfimi tronditës i kësaj vajze adoleshente, në një nga emisionet e Pasdites, tregoi që anoreksia në vendin tonë është e padukshme, por mjaft e përhapur, sidomos te vajzat e reja, që ndikohen shumë nga modelet që ofron ekrani, apo industria e modës.

Në Shqipëri nuk ka studime dhe statistika të sakta për përhapjen e këtij fenomeni, por në Francë, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” numërohen rreth 30 mijë deri në 40 mijë njerëz, që vuajnë nga anoreksia, pjesa më e madhe prej tyre vajza adoleshente.

Pikërisht për këtë arsye, Parlamenti francez miratoi të premten që lamë pas një amendament në ligjin për shëndetësinë, i cili parashikon dënime me gjoba deri në 75 mijë euro, por edhe burgim, për drejtuesit e agjencive të modelingut apo shtëpitë e modës, që punësojnë modele nënpeshë.

Tani modeleve, për t’u punësuar u duhet të kenë një dokument shëndetësor, që tregon se indeksi i masës së trupit është të paktën 18. Gjë që do të thotë se, për një gjatësi 1.75 metra, duhet të kesh një peshë prej 55 kilogramësh.

Amendamenti është pjesë e fushatës kundër anoreksisë së Qeverisë së Presidentit Holande. Ligjvënësit theksuan madje se, edhe çdo foto e retushuar, që ndryshon pamjen fizike të një modeleje për qëllime komerciale, duhet të përmbajë një mesazh, që shpjegon se fotoja është ndryshuar.

Ligji ka për qëllim të mbrojë jo vetëm shëndetin e modeleve, por gjithashtu edhe të vajzave të reja, të cilat mundohen t’u ngjajnë atyre.

Top Channel