Lirohet pengu holandez në Mali, prej kohësh në duart e Al Kaedës

06/04/2015 00:00

Një shtetas holandez i rrëmbyer në Mali në vitin 2011 është liruar nga forcat speciale franceze.

Sjaak Rijke u rrëmbye nga persona të armatosur nga një hotel në qytetin e Timbuktusë, bashkë me një person tjetër.

Presidenti francez, Francois Hollande deklaroi se Rijke u gjet rastësisht gjatë një bastisjeje të komandove në veri të Malit.

Ai mendohet se është mbajtur peng nga dega magrebine e Al Kaedës dhe ishte shfaqur në një video të militantëve në nëntor.

Ai ishte shfaqur përkrah pengut francez Serge Lazarevic, që u lirua dhjetorin e kaluar përmes një shkëmbimi të të burgosurve.

Ministria franceze e Mbrojtjes deklaroi se, Rijke është transferuar gjatë së hënës në një bazë të përkohshme të trupave franceze në Tesalit.

Njoftimi zyrtar shton se një numër militantësh janë vrarë dhe të tjerë janë arrestuar gjatë operacionit të forcave speciale kundër militantëve të Al Kaedës.

Shtetasi holandez rezulton të jetë në gjendje të mirë shëndetësore, duke pasur parasysh rrethanat ku ndodhej.

“Ky është një lajm fantastik për Sjaak dhe familjen e tij. jam i gëzuar dhe i qetësuar që kjo periudhë e tmerrshme pasigurie dhe trishtimi ka marrë fund”, deklaroi ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders.

Top Channel