Qendra që trajnon njerëzit me aftësi të kufizuar

06/04/2015 00:00

Njerëzit normalë e kanë të lehtë zgjedhjen e një profesioni. Studimi, praktika, e më pas me kalimin e viteve janë aty ku duan, por kategoria që has vështirësi është ajo e personave me aftësi të kufizuar, të cilët edhe pse të pamundur janë të gatshëm të punojnë, duke siguruar kështu të ardhura.

Për herë të parë në Shqipëri, Qendra e Zhvillimit Rezidencial në Durrës ka nisur të aftësojë këtë kategori, e cila ka dëshirë të futet në tregun e punës. Fatjona Keca është një 25-vjeçare nga Saranda, e diagnostikuar me prapambetje të lehtë mendore. Pavarësisht problemeve, ajo ka shumë dëshirë të bëhet rrobaqepëse.

Në të njëjtën qendër zhvillohet dhe kursi i punimeve me grep. Kujdestarja Merita Poli është shumë entuziaste për vajzat e kursit.

Nuk kishte si të mungonte dega e gatimit. Praktikantët, me zgjedhjen e tyre kanë pranuar të jenë pjesë e kuzhinës.

Vetë fëmijët ndihen mirë me këtë mundësi, që iu është dhënë. Kanë gjetur qetësinë dhe, pse jo, një profesion.

Çdo gjë në qendër është e organizuar si një shtëpi e madhe. Madje, edhe patatet apo perimet që gatuhen, mbillen nga një tjetër grup, që po aftësohet në punimin e tokës.

44 fëmijët me diagnoza të ndryshme kanë gjetur miq, mësues dhe shumë dashuri. Kërkesat e bizneseve lokale për këto profesione nuk kanë munguar. Sapo të mbarojnë kursin, më të mirët do punësohen, në këtë mënyrë do të sigurojnë vetë të ardhurat, si të gjithë njerëzit normalë. Ata duan  të ndihen të dobishëm…

Top Channel