Lideri i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev ka publikuar disa biseda të përgjuara telefonike që sipas tij zbulojnë “pazarin” midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe partnerit të koalicionit qeveritar, kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, për mbylljen e të ashtuquajturave “Rastet e Hagës”.

Kreu i opozitës maqedonase tha se nga bisedat e publikuara dëgjogjet se si Gruevski, në përpjekje për të ruajtur imazhin e tij prej patrioti, e hedh tek Parlamenti përgjegjësinë për mbylljen e rasteve të Hagës që rëndonin mbi krerët e UÇK-së për përfshirje në krime gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni.

“Personalisht Nikolla Gruevski ka bërë pazare me Ali Ahmetin për rastet e Hagës, për t’i mbyllur ato përmes Parlamentit, duke shpallur amnesti. Gruevski personalisht ka urdhëruar që tërë proçedura të kalojë në Parlament. Këto materiale nxjerrin në sipërfaqe një fytyrë tjetër të Gruevskit dhe i largojnë nga fytyra edhe një maskë, atë të patriotit”, ka thënë Zaev.

Në materialet e përgjuara që publikoi opozita dëgjohen disa ministra maqedonas duke shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mbylljen e rasteve të Hagës dhe duke bërë plane për të shmangur votimin për përfshirjen e këtyre rasteve në ligjin për amnesti.

Madje, gjatë një bisede për këtë çështje me ministren e Brendshme Gordana Jankullovska, kryetari i parlamentit Trajko Veljanovski i quan “indianë” deputetët shqiptarë. Rastet e Hagës u mbyllën në vitin 2011 përmes përfshirjes së tyre në ligjin për amnesti.

Para se të mbylleshin me ligj këto raste, gjykatat në Shkup paralajmëronin hapjen e proceseve gjyqësore kundër ish-drejtuesve të UÇK-së në Maqedoni, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Hagës për të mos ngritur asnjë akuzë ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Top Channel