Kinë, shpërthim në një impiant lëndësh kimike

06/04/2015 00:00

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një impiant lëndësh kimike në jug-lindje të Kinës, në provincën Fuxhian, duke shkaktuar një zjarr të madh.

Shpërthimi ndodhi të hënën mbrëma, me orën lokale, raporton agjencia e lajmeve, “Xinhua”, sipas të cilës një person ka mbetur i plagosur.

Impianti prodhon lëndën paraksilenë, PX, një kimikat djegës që përdoret në poliestër dhe në produktet plastike.

Prania e këtij impianti në provincën Fuxhian ka shkaktuar jo pak herë protesta të banorëve, të cilat vitin e kaluar degraduan edhe në dhunë.

Shumë banorë i druhen ndotjes që impianti lëshon, të cilën e konsiderojnë shumë të rrezikshme për shëndetin. Mediat lokale raportojnë gjithashtu se ky është shpërthimi i dytë në dy vitet e fundit.

Impianti në fjalë menaxhohet nga një prej kompanive më të mëdha të kimikateve në Kinë, që deri tani nuk ka bërë asnjë koment mbi sa ka ndodhur.

Televizioni publik i Kinës, CCTV, transmetoi pamje të zjarrit, me flakët që ngriheshin në ajër, por nuk dha detaje sa i takon motiveve të shpërthimit. Në vendin e ngjarjes janë mbledhur rreth 430 zjarrfikës.

Në vitet e fundit trajtimi i paraksilenës ka qenë në fokus të protestave masive në Kinë, të cilat kanë detyruar autoritetet të shtyjnë apo të anulojnë ngritjen e impianteve.

Një demonstratë e tillë e verifikuar prillin e kaluar në Maoming, në provincën jugore Guangdong, përfundoi në dhunë, me policinë që përdori gaz lotësjellës dhe protestues të shumtë që u plagosën.

Top Channel