Shqiptarët duartrokiten në Serbi

06/04/2015 00:00

Aktorët kosovarë, bashkë me ata serbë, për herë të parë pas shumë dekadash kanë shkelur në podiumin e Teatrit Kombëtar të Serbisë.

“Romeo dhe Zhulieta”, në një paraqitje emocionuese dhe pa përkthim, është luajtur shqip dhe serbisht, nën regjinë e aktorit të famshëm serb, Miki Manojlloviç.

Në një sallë me rreth 160 vende, me një afërsi të theksuar skenike me publikun, janë dhënë douartrokitje e vlerësime, ndonëse filmimi i akteve nuk ka qenë i lejuar.

Përfaqësues të politikës, diplomacisë nga Kosova, Serbia e Shqipëria kanë ndjekur shfaqjen që është një rrëfim dashurie i origjinalit, përkthyer në shqip nga Fan Noli, por i përshtatur me situatat aktuale shqiptaro-serbe. Në fund, aktorët i kanë dhënë dorën dhe ëmbëlsira çdo shikuesi.

“Shfaqja u prit shumë mirë dhe misioni për të cilin ishim ne këtu ishte të bënim art. Mund të them se ai u krye. Publiku na priti mirë dhe ngrohtë dhe po presim që kjo shfaqje të ketë të njëjtën konsideratë edhe në Prishtinë”, deklaroi aktori Mensur Safçiu.

Deri më tani bashkëpunimi mes trupave teatrale shqiptare dhe atyre serbe ka qenë kryesisht aleternativ dhe me shumë forca policie që mbikëqyrnin kulturën e ngatërruar, që mbartte në vete tensionet e së kaluarës tragjike. Por tani këto faza janë tejkaluar dhe aktorët janë bërë diplomatë të së mirës.

“Përpos ekipit të përbashkët të aktorëve shqiptarë dhe serbë janë përfshirë dhe dy qeveritë që kanë mundësuar këtë projekt. Ndërkohë, fakti që kjo shfaqje u dha sot në teatrin e Serbisë dhe një muaj më pas do të transmetohet në Kosovë, është në njëfarë mënyre një mbyllje e një kapitulli urrejtjeje dhe konflikti”, tha Jeton Neziraj nga Qendra Multimedia në Prishtinë.

“Interesant është fakti që aktorët kanë luajtur në serbisht dhe në shqip dhe që shfaqja është dhënë pa titra. Ne kemi arritur ta kalojmë totalisht këtë barrierë pasi kemi arritur të kuptojmë tërësisht se çfarë duan të thonë aktorët, pavarësisht gjuhës”, tha Ivan Tasovaç, ministër i Kulturës i Serbisë.

Interesi për shfaqjen ka qenë i madh, ndaj ajo do të interpretohet edhe tre herë në teatrin e Serbisë, si dhe në maj në atë të Kosovës.

Top Channel