Irak, zbulohen 10 varre masive në Tikrit; gjenden trupat e 1.700 ushtarëve

06/04/2015 00:00

Në Tikrit janë zbuluar disa varre masive, të cilat mendohet se mbajnë trupat e të paktën 1.700 ushtarëve irakenë të ekzekutuar.

Me shumë gjasë, sipas zyrtarëve, masakra lidhet me atë që xhihadistët bënë qershorin e vitit të kaluar, kur vranë thuajse të gjithë ushtarët që ndodheshin në të ashtuquajturin “Camp Steincher”, një bazë e fortifikuar në periferi të Tikritit.

Të dërguarit e mediave ndërkombëtare rrëfejnë se, pasi policia irakene gërmoi dhe gjeti 10 trupat e parë të dekompozuar, agjentët qëlluan 7 herë në ajër me armë në respekt të kujtimit të tyre dhe më pas kënduan himnin kombëtar.

Eshtrat do të dërgohen në Bagdat për t’iu nënshtruar testit të AND-së, për të zbuluar idenditetin e viktimave.

Trupat ishin të shpërndarë në 10 varre masive, të hapur në brendësi të rezidencës presidenciale të ish-diktatorit Sadam Husein, ku sipas një dëshmitari që i shpëtoi masakrës në fjalë, xhihadistët mendonin se trupat do të ishin të sigurtë.

Pas zbulimit të varreve masive, kryeministri i Irakut, Haider Al Abadi deklaroi se hakmarrja ndaj ISIS për këtë veprim çnjerëzor nuk është rruga e duhur që do të ndiqet nga shteti.

Prej kohësh familjarët e ushtarëve të zhdukur kërkonin infromacion për të afërmit e tyre pranë zyrave të qeverisë, për të marrë një përgjigje mbi atë që mund të kishte ndodhur.

Por thuajse 10 muaj më pas, forcat e Tirkritit arritën që nëpërmjet gërmimeve të zbulonin masakrën e radhësë që mban firmën e ISIS.

Top Channel