Këshilli i Mandateve shtyn vendimin për Kokëdhimën

06/04/2015 00:00

Pas më shumë se 3 orë diskutimesh në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, nuk është dalë me asnjë raport lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima.

Mazhoranca ka kërkuar shtyrje të mbledhjes së këshillit për të shqyrtuar dosjen e dorëzuar nga deputetët demokratë, gjë që këta të fundit e kanë cilësuar si veprim me dy standarde.

“Shumica në këtë mbledhje veproi me dy standarde, në përpjekje për të zvarritur procesin. Ndryshe u veprua në rastin e dy deputetëve (Doshi dhe Frroku) dhe ndryshe u veprua në këtë rast. Shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese e këtij rasti, për të shqyrtuar mandatin, mendoj se është gjëja e duhur”, ka thënë Ristani.

Ndonëse ka pranuar se PS në kërkesën e saj është brenda të gjitha afateve ligjore, deputeti i opozitës ka shtuar se, “nuk ka rrugë tjetër për ta zgjidhur këtë çështje. Rruga e vetme është gjykata kushtetuese”.

Opozita pretendon se Kokëdhima ka përfituar fonde publike pasi është bërë deputet, çka e bën sipas saj antikushtetues mandatin e tij.

Vetë Kokëdhima nuk u paraqit në këtë mbledhje, por avokati mbrojtës tha se klienti i tij nuk ka përfituar kontrata nga institucionet shtetërore pas zgjedhjes deputet.

Ndërkohë, Këshilli do të mblidhet sërish për të vendosur mbi raportin që do të çohet në Kuvend. Ky i fundit vendos me votë nëse çështja për heqjen ose jo të mandatit do të çohet në Kushtetuese.

Afati që ka në dispoziocion Parlamenti është tre muaj. Nëse kërkesa nuk shqyrtohet brenda kësaj periudhe, ajo rrëzohet automatikisht.

Top Channel