Turqi, rihapet Facebook dhe Twitter, ende jo Youtube

06/04/2015 00:00

Facebook dhe Twitter u rihapën në Turqi, ndërkohë që për Youtube vazhdojnë bisedimet mes përfaqësuesve të kompanisë amerikane dhe autoriteteve turke.

Vendimi për hapjen e dy prej rrjeteve sociale më të mëdha u mor pas heqjes së imazhit që tregonte prokurorin e marrë peng në Stamboll nën kërcënimin e armëve prej dy ekstremistëve të majtë. Fatkeqësisht të tre personazhet e imazhit gjetën vdekjen në operacionin e forcave speciale turke.

Më herët një gjykatë turke urdhëroi bllokimin e Facebook, Twitter-it dhe Youtube për shpërndarjen e fotove të marra gjatë pengmarrjes së një prokurori javën e kaluar.

Në episodin tronditës, dy persona të armatosur, sipas gjasave pjesëtarë të një grupi të ekstremit të majtë, e rrëmbyen zyrtarin në Gjykatën Qendrore të Stambollit.

Që të tre ata vdiqën gjatë operacionit të policisë, që mësyu godinën me shpresën se do të arrinte ta lironte prokurorin, por pa sukses.

Përpara se të bllokonin këto faqe, autoritetet turke ndërhynë për të ndaluar publikimin e fotografive të pengmarrjes në gazetat vendase.

Këto të fundit u akuzuan nga qeveria se veprimi i tyre ndihmonte përhapjen e propagandës terroriste të grupit DHKP-C, i cili qëndron pas sulmit në gjykatë. Grupin në fjalë Turqia, Bashkimi Europian dhe SHBA e konsiderojnë organizatë terroriste.

Prokurori Mehmet Selim Kiraz u mor peng si njeriu që kishte drejtuar hetimet mbi vdekjen e një adoleshenti gjatë protestave të dhunshme anti-qeveritare të vitit 2013.

Top Channel