Kokëdhima: Akuzat e PD, shpifje. Ndryshim ligjit për kanabisin

07/04/2015 00:00

Deputeti Koço Kokëdhima i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, duke deklaruar se debatin politik kundër tyre do ta zhvillojë në Parlament.

“Diskutimi në Komisionin e Mandateve është një diskutim tekniko-ligjor dhe për një diskutim të tillë përballë borive politike të shpifësve të Saliut atje janë ekspertët ligjorë. Unë atje kam avokatin tim, i cili është në gjendje t’i japë përgjigje teknike, ligjore dhe profesionale të gjitha pyetjeve që mund të kenë. Ndërkohë që për debatin politik kemi vende të tjera se ku e zhvillojnë, në Parlament ku do të jem i pranishëm. Unë nuk kam nevojë të shpëtoj me ndonjë procedurë sepse unë nuk kam kryer asnjë shkelje, nuk kam paguar asnjë qindarkë në dëm të ligjit, nuk kam qenë asnjë sekondë të vetme në konflikt interesi”, tha deputeti i PS.  

Këto deklarata deputeti Kokëdhima i bëri pas një vizite të zhvilluar në Spitalin e Burgut në kryeqytet, ku dhe njëherë bëri thirrje për ndryshimin e Kodit Penal për përdoruesit e marijuanës.

“Një reformë të legjislacionit penal që lidhet me kanabisin, me qëllim që Shqipëria, po ashtu si vendet e tjera, të ketë një legjislacion të arsyeshëm penal për krimet që lidhen me përdorimin e kanabisit. Të mendojmë një amnisti themelore të përgjithshme për të gjitha krimet e kanabisit”, u shpreh Koço Kokëdhima. 

Top Channel