SHBA, atentatori i Bostonit donte të tmerronte Amerikën

07/04/2015 00:00

Prokurori në procesin që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara ndaj atentatorit të maratonës së Bostonit ka deklaruar se, Dzhokhar Tsarnaev “dëshironte të ndëshkonte Amerikën” kur bashkë me vëllain e tij vendosën bombën pranë vijës së finishit.

Avokatët e 21-vjeçarit çeçen pranuan se ai kishte kryer sulmet, por thanë se ndidhej nën influencën radikale të vëllait të tij të madh.

Nëse shpallet fajtor, Tsarnaev, ndaj të cilit rëndojnë 30 akuza, do të përballet me burgim të përjetshëm ose me vdekje.

Juria pritet të nisë diskutimet këtë të martë, pasi të dyja palët më herët përfunduan paraqitjen e argumenteve.

Tre persona, përfshirë një djalë 3-vjeçar, humbën jetën pasi dy bomba artizanale shpërthyen në prill të vitit 2013. Mbi 260 persona të tjerë mbetën të plagosur, disa prej të cilëve humbën gjymtyrët. Ndërkohë, një oficer policie u qëllua për vdekje gjatë kërkimeve masive për të dyshuarit.

Ndihmës-prokurori amerikan Aloke Chakravarty deklaroi se Tsarnaev shënjestroi maratonën e vitit 2013 sepse ishte dita kur vëmendja e gjithë botës do të ishte fokusuar në Boston.

“Ai donte ta tmerronte këtë vend. Ai mendonte se vlerat e tij ishin më të rëndësishme se njerëzit përreth dhe donte të ngrinte lart figurën e muxhaheidinëve, luftëtarët e shenjtë”, deklaroi prokurori.

Dzhokhar Tsarnaev tundi kokën lehtë kur prokurori e cilësoi atë një terrorist. Siç pritej, avokatët e tij mbrojtës nënvizuan faktin e 21-vjeçari po vepronte nën influencën e të vëllait të madh, Tamerlan, që orkestroi atentatin dhe që mbeti i vrarë gjatë kërkimeve nga policia.

Top Channel