Moti me dëborë, në Korçë rikthehet dimri

07/04/2015 00:00

Një dimër i dytë është rikthyer në qarkun juglindor të vendit, ku bora ka zbardhur qytetet dhe gjithë akset. Trashësia maksimale e borës është regjistruar në Dardhë, ku ka arritur 20 cm, ndërsa në Voskopojë në 15 cm.

Përveç dy fshatrave malore edhe në qytetin e Korçës dhe Ersekës, si dhe në aksin që i lidh ato, bora ka arritur trashësinë prej 10 cm.

Ndërsa më pak reshje ka pasur në Pogradec, ku sipas të dhënave janë regjistruar mesatarisht 6-7 cm borë. Mësohet se reshjet nuk kanë shkaktuar probleme në aksin Pogradec-Qafë Thanë, ku prania e borës ka qenë thuajse e papërfillshme.

Pavarësisht se duket sikur reshjet kanë mbuluar akset nacionale, nuk ka pasur probleme me qarkullimin dhe sipas raportimeve nga Drejtoria e Rrugeve, të gjitha akset janë të kalueshme pa zinxhirë.

Bora ka nisur rreth orës 2 të mëngjesit të së martës dhe ka vijuar pa ndërprerje, duke sjellë një ulje të ndjeshme të temperaturave.

Top Channel