ARRSH: Ja akset rrugore në vend me vështirësi në qarkullim

07/04/2015 00:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar sot një përmbledhje të situatës
në akset rrugore kryesore në vend dhe ka apeluar ndaj drejtuesve të
automjeteve për të përdorur zinxhirët në disa akse.

Situata e deritanishme, sipas ARRSH-së, parqaqitet si më poshtë:

-Në Rrugën e Kombit, vazhdon të mbahet nën monitorim shkarja masive në Kolsh. Dy korsi janë të mbylluara dhe qarkullimi kryhet në të dyja drejtimet në dy korsitë e tjera të autostradës.

-Problematike paraqitet situata e qarkullimit edhe në akset Domaj-Bushtricë dhe Krumë-Qafë Prush. Në aksin Krumë-Qafë Prush qarkullimi kryhet me nje kalim dhe me shumë vështirësi, pasi shkarja e trupit të rrugës e ka dëmtuar shumë atë.

-Në Llogora ka rënë rreth 25 cm borë. Eshtë kryer pastrimi dhe kriposja e aksit dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë.

-Në Qarkun e Korçës ka patur reshje bore, por akset janë të pastruara.

Të gjithë akset qarkullohen normalisht, me përjashtim të aksit të Dardhës, ku qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë.

-Në Steblevë, në rrethin e Librazhdit, ka reshje bore, por qarkullimi kryhet pa probleme.

-Në aksin Peqin-Elbasan, në Derven, ka patur disa shkarje dhe rënie materialesh në rrugë, si dhe janë rrëzuar disa pisha. Vazhdon puna nga kontraktori për pastrimin e rrugës. Aktualisht qarkullimi është normal.

-Në Qafë Thanë qarkullimi kryhet pa probleme. Aksi është i pastruar dhe kriposur.

-Në segmentin Gramsh-Drizë, pjesë e aksit Cërrik-Gramsh, ka patur rënie dherash në rrugë. Po punohet për pastrimin e rrugës, ndërsa qarkullimi kryhet pa probleme.

Top Channel