Meksikë, arrestohet bosi i Kartelit të Gjirit

07/04/2015 00:00

Jose Sanchez Garcia, i konsideruar si kreu i Kartelit të Gjirit në shtetin meksikan të Tamaulipas, është arrestuar në një operacion të përbashkët të forcave të marinës dhe policisë.

Krimineli, i njohur ndryshe me nofkën “faqemadhi”, ishte në kërkim prej kohësh pasi rezulton i përfshirë në disa dhjetëra vrasje dhe aktivitete kriminale, mes të cilave rrëmbim personi përgjatë kufirit me Teksasin.

Sipas autoriteteve, Garcia kishte në dispozicion të paktën 7 grupe të armatosura, në gjendje të godisnin pa hezitim edhe funksionarë të lartë të sigurisë.

Një grup aleatësh besnikë të tij ishin me të në momentin e arrestimit, por kjo nuk mjaftoi që të shmangej kurthi i ngritur nga forcat e sigurisë dhe bosi preferoi të dorëzohej.

Tamaulipas, i njohur edhe si Mataulipas për të nxjerrë në pah dhunën, është prej vitesh fushë e një beteje të madhe mes fraksioneve të ndryshme kriminale që kërkojnë të kontrollojnë aktivitetet e paligjshme.

Në shkallë të lartë përplasen pikërisht Karteli i Gjirit dhe ish-aleatët e tyre Los Zetas, dy organizata që për shkak të arrestimeve dhe vrasjeve janë fragmentarizuar në disa nëngrupe.

Këto të fundit janë të nivelit të dytë dhe edhe pse të varura nga dy klanet e mësipërme veprojnë edhe në autonomi.

Top Channel