Tsipras, të mërkurën në Moskë: Greqia, urë lidhëse mes Rusisë e Perëndimit

07/04/2015 00:00

Nën peshën e një situate tejet të vështirë financiare që po kalon Greqia, i ndodhur përballë presionit të partnerëve europianë që kërkojnë reforma në shkëmbim të ndihmës ekonomike, Aleksis Tsipras viziton Moskën duke u bërë kryeministri i 7 grek, që pritet pas dyerve të Kremlinit prej viti 1979.

“Vizita ime është një mundësi për marrëdhënie më të mira ruso-greke, mbi të cilat në vitet e fundit mbizotëron një dimër siberian”, ka deklaruar Tsipras për një agjenci ruse, disa orë para se të largohej nga Athina mbrëmjen e së martës drejt Moskës, me disa nga ministrat e kabinetit të tij, me qëllim që të shkrijë akujt në politikën midis dy vendeve dhe të përforcojë pozitën gjeopolitike të vendit të tij.

Në axhendën e bisedimeve, siç janë shprehur burime qeveritare, ato që pret Athina nga Kremlini janë:

Së pari, dëshira e mirë e Putinit për të ndihmuar Greqinë, duke rikthyer në tregun rus produktet greke, të cilat janë ndaluar si importe për shkak të embargos së BE-së, produkte nga të cilat Greqia përfiton rreth 125 mln euro.

Së dyti, çështja e bashkëpunimit energjetik midis dy vendeve, me ndërtimin e gazsjellësit “Turkish Stream”.

Së treti, bashkëpunimi në marrëdhëniet e tregtisë dhe turizmit, pasi vitet e fundit është reduktuar numri i turistëve nga Rusia.

Dhe së katërti, çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, si situata në Ukrainë, marrëdhëniet greko-turke etj.

Sipas gazetës së sotme ruse “Kommersant”, që iu referohet burimeve nga Kremlini, Moska mund t’i ofrojë Athinës çmim më të ulët të gazit natyror dhe kredi afatgjata. Por, nga ana tjetër, siç paralajmërojnë mediet e huaja, Moska do të kërkojë diçka si shkëmbim. Kjo ndoshta do të jetë vetoja greke në sanksionet e BE-së ndaj Moskës, për shkak të Ukrainës, si dhe garancia në pasuritë shtetërore greke, ndoshta porte, aeroporte, baza ushtarake apo përqindje në shfrytëzimin e hidrokarbureve, për të dhënë kreditë e saj financiare.

Përveç takimit të tij, të mërkurën, me presidentin rus Vladimir Putin, Tsipras do të takohet me homologun rus, Dmitri Medvedev dhe Patriarkun Kirill.

Duke iu përgjigjur paralajmërimeve dhe shqetësimeve të partnerëve europianë për një politikë të hapur të Athines nga Moska, burime qeveritare kanë theksuar se kjo vizitë nuk prek aspak “orientimin europian të Greqisë”, por përkundrazi e bën atë urë lidhëse midis Rusisë dhe Perëndimit.

Top Channel