Meta: Të shtohen shkëmbimet tregtare dhe investimet saudite në Shqipëri

07/04/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot një delegacion parlamentar të
Arabisë Saudite, të kryesuar nga Dr. Zuhair bin Fahad bin Jaber
Al-Harthy, nënkryetar i Grupit të Miqësisë me Shqipërinë, të cilit i
kërkoi intensifikimin e shkëmbimeve  tregtare dhe shtimin e investimeve
saudite në Shqipëri.

Sipas kryeparlamentarit Meta, kjo vizitë është dëshmi e vullnetit të qartë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera e vllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve. Ai theksoi se “shkëmbimet ndërparlamentare duhet të luajnë një rol edhe më dinamik për një të ardhme edhe më të frytshme, veçanërisht në intensifikimin e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve saudite në Shqipëri e rajon”.

 

Dr. Zuhair bin Fahad bin Jaber Al-Harthy u shpreh se, parlamentarët sauditë vlerësojnë miqësinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë. Ai theksoi se të dy Grupet parlamentare të Miqësisë do të intensifikojnë përpjekjet e tyre për forcimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

 

Meta dhe parlamentarët sauditë shkëmbyen më pas mendime mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe vlerësuan angazhimin e Shqipërisë e të Arabisë Saudite  kundër terrorizmit ndërkombëtar në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Top Channel