F1, Gara e Kinës; “Mercedes” kërkon përmirësime

07/04/2015 00:00

Shefi i skuadrës së “Mercedes”, Toto Wolff ka paralajmëruar pilotët e tij Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg se duhet të përmirësohen akoma më shumë në paraqitjet e tyre nëse duan të fitojnë të dy titujt botërorë në këtë sezon të Formula 1.

Në Çmimin e Madh të Malajzisë, skuadra e “Mercedes” u befasua nga “Ferrari” që arriti të triumfojë me anë të Sebastian Vettel dhe Wolff theksoi se në Kinë, Hamilton dhe Rosberg duhet të bëjnë gjithçka për të rimarrë pozitat kryesuese.

“U larguam nga Malajzia duke e ditur se duhet të mendonim shumë për garën. Rezultati në Sepang ishte diçka e mirë për Formula 1, por për ne ishte një sinjal alarmi. Edhe pse të dy pilotët tanë ishin në podium, ne studiuam me kujdes çdo aspekt ku mund të përmirësohemi. Kundërshtarët tanë e kanë rritur nivelin e tyre, tani këtë duhet ta bëjmë edhe ne. E kam thënë edhe në Australi, ne presim një sezon të rivalizuar për titujt kampionë dhe për këtë arsye duhet të shfrytëzojmë në maksimum çdo rast që do të na jepet”, ka thënë Wolff.

Sipas tij, Çmimi i Madh i Kinës ua jep mundësinë Hamilton dhe Rosberg për të rikthyer gjërat në favor të “Mercedes”.

“Kina është shansi i radhës për t’u ngjitur në nivelet më të larta. Pista e Shangait është e përshtatme për skuadrën tonë. Lewis ka kujtime të mira këtu, ashtu sikurse edhe Rosberg. Ne i kemi armët tona për të fituar këtu dhe do të duhet t’i shfrytëzojmë sa më mirë këtë fundjavë”, deklaroi shefi i skuderisë gjermane.

Top Channel