Kosovë, 7 vjet nga miratimi i Kushtetutës; Jahjaga e Mustafa: Do zgjerojmë zbatimin

07/04/2015 00:00

Krerët e shtetit të Kosovës u mblodhën në një ceremoni për me rastin e 7-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së vendit. Presidentja Atifete Jahjaga, duke përmendur sfidat e zabtimit të dokumentit themeltar, sidomos vitin e kaluar kur u verifikua dhe kriza politike, ka ftuar institucionet e drejtësisë për një barazi të të gjithëve para ligjit.

“Ne duhet të jemi të gjithë të barabartë para ligjit, ndaj nevoja për një sistem gjyqësor të pandikuar nga politika është e domosdoshme. Sistemi ynë i drejtësisë, ashtu edhe siç parashikohet në Kushtetutë, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik dhe i paanshëm. Kjo mbetet një aspiratë, realizimi i të cilës kushtëzon qëndrueshmërinë tonë si shtet, besimin e qytetarëve në vendin e tyre dhe përpjekjet e shoqërisë tonë që Kosovën ta vendosim në proceset integruese”, ka deklaruar Jahjaga.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa ka garantuar se qeveria që drejton do të përpiqet ta shtrijë zbatimin e Kushtetutës edhe në veri të vendit.

“Do ta ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por po ashtu do të shfrytëzojmë këtë sovranitet për t’u krijuar qytetarëve tanë një jetë më të mirë dhe më të begatshme. Të gjithë atyre, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore apo ndonjë përkatësi tjetër”, ka deklaruar Mustafa.

Në këtë ceremoni, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, që ishte kryetar i komisionit për hartimin e saj më 2008, ka kujtuar momentet e miratimit të aktit më të lartë juridik të shtetit.

“Ajo ditë ishte më ndryshe, më emocionale, pasi sublimohej qëllimi shekullor i brezave tanë dhe realizohej premtimi i Deklaratës së Pavarësisë. Atë ditë, shtatë vjet më parë, treguam përgjegjësi profesionale, kombëtare por edhe përgjegjësi shtetërore. Sa herë që e shënojmë këtë përvjetor dhe bisedojmë për Kushtetutën, rëndësinë dhe respektimin e saj, neve gjithmonë mendja na shkon tek ata burra dhe gra që luftuan për Kosovën”, ka thënë Kuçi.

Shtatë vjet pas miratimit, Kushtetuta e Kosovës vazhdon të mos respektohet në veri të vendit, ndërsa është shkelur disa herë edhe nga vetë krerë të institucioneve.

Pak javë pas festës, Kushtetuta pritet të pësojë ndryshime të theksuara tek pjesa e drejtësisë, duke i deleguar kompetenca ekskluzive ndërkombëtarëve për themelimin e Gjykatës Speciale.

Top Channel