Kanabisi, Tahiri rrëzon Kokëdhimën: S’ka legalizim, burg kush guxon të mbjellë

07/04/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për herë të parë ka hedhur poshtë idenë e deputetit Kokëdhima për legalizim të kanabis sativës.

Duke iu drejtuar policëve të rinj, që sapo përfunduan kursin e Akademisë së Policisë, Tahiri paralajmëroi se fillojnë punë në një kohë të vështirë, ndaj duhet të respektojnë ligjin.

“Në këtë rrëmujë të stisur publike, nuk ka asgjë për t’u habitur pse është më e kollajtë të sulmohet Policia e Shtetit, sesa të flitet për respektimin e rregullave dhe ligjeve. Por ju mos u dekurajoni, përkundrazi, punoni me më shumë forcë. Mos u habisni përse është më e lehtë të debatohet për antivlerat, për thashethemet e konsumit, madje edhe për legalizimin e hashashit pa dashje, duke i dhënë kurajo paligjshmërisë, sesa të flitet për vlerat e qytetarit të mirë, për vlerat e shoqërisë, si themel i përbashkët i yni. Apo sesa të flitet për edukim, për libra, për rregullin dhe për ligjin”, u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Deklarata e Tahirit është zëri i parë nga Qeveria dhe mazhoranca ndaj deputetit të Vlorës, Kokëdhima, i shoqëruar edhe me paralajmërimin se, kushdo që do të guxojë të mbjellë kanabis, do të përfundojë pas hekurave.

* Ministri i Brendshëm Tahiri ka paralajmëruar nisjen së shpejti të një operacioni të gjerë antikanabis në të gjithë vendin, në mënyrë që sipas tij “të mos ngelë më asnjë rrënjë kanabis e mbjellë në Shqipëri, as mbi e as nën tokë”.

Ndihmë të madhe në luftën antikanabis, sipas ministrit të Brendshëm do të japë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. “Byroja Federale e Hetimeve në SHBA ka nisur punën për të ngritur Byronë Kombëtar të Hetimit, me rekrutimin e oficerëve të Policisë së Shtetit. Do të jetë viti i dytë, që Shqipëria nuk do të jetë më vend origjine i trafikimi të lëndëve narkotike. Do të shkulim çdo rrënjë kanabisi në çdo cep të Shqipërisë”, shtoi Tahiri.

Top Channel